Drejtori ekzekutiv i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, Agron Tufa është larguar nga Shqipëria duke kërkuar azil politik në Zvicër, pas kërcënimeve të marra kohët e fundit. Një reagim ka ardhur nga shkrimtarja, Flutura Açka, e cila në rrjetin social “Facebook” shkruan se “ne e përzumë me heshtjen tonë”. Açka kujton herën e fundit kur është takuar me Tufën dhe thekson se ai u kërcënua nga ata që ajo i quan “puseta me imunitet shtetëror”.
Statusi:
“Gjatë ditëve të panairit të Librit, me Agronin na u desh të shkonim në promovimin e një autoreje të re shqiptare.
Me qetësinë e tij, me një kujdes të admirueshëm profesional, Agron Tufa i bëri një analizë të hollësishme librit poetik që na kishe mbledhur, e tillë, që nuk mund të ishte e një njeriu që ishte në nxitim e sipër për të ikur.
Ajo ishte edhe hera e radhës kur u rrokëm përqafe, por jo e fundit. Ne e përzumë Agronin me heshtjen tonë. Tani po flasin shumë, dhe mirë bëjnë, por kur Agroni kërcënohej, fyhej, poshtërohej nga po ata njerëz që nuk kursejnë askënd, nga po ato puseta me imunitet shtetëror shpesh, ku ishim ne?
Agron i dashur, bëre shumë mirë, ne jemi mësuar ta përzëmë me shkelma “Mendjen” nga Shqipëria. Europa është atdheu i Lirisë, Shqipërinë më parë duhet ta pastrojmë nga AntiLiria, por kur?”, thekson Flutura Açka./abcnews.al