Në parlament pa energji elektrike, skenarët e ardhshëm të grupit të Berishës dhe të Bardhit, nuk përjashtohet greva e urisë

schedule15:25 - 19 Tetor, 2023

schedule 15:25 - 19 Tetor, 2023

Seanca e sotme plenare në Kuvend u shoqërua me kaos, me tensione, pasi deputetët e grupit të Berishës dhe të Bardhit bllokuan karriget e ministrave si edhe foltoren duke bërë që seanca të shtyhet.

Ndërkohë deputetët kanë zgjedhur të qëndrojnë  në sallën e Parlamentit edhe pas përfundimit të saj, ndonëse pa energji elektrike.

Gazetarja e ABC Erneta Shevroja bëri një pasqyrim të situatës së seancës së sotme, duke thënë se asnjë prej skenarëve të grupit të Berishës dhe të Bardhit nuk përjashtohet, ndërsa edhe ata vetë kanë paralajmëruar një  grevë urie.

“Deputetët kanë qëndruar në sallë edhe pa energji, dhe kanë përdorur dritat e telefonave. Ka pasur disa lëvizje të deputetëve që kanë ikur dhe rikthyer në sallë, por shumica janë duke qëndruar. Nga ana e Bledi Çuçit ka pasur një mesazh për ndërprerjen e seancës dhe për mos nisjen e saj. Ndërsa javën e ardhshme është java e gjelbër. Situata aktuale është ende e njëjtë. Sa i përket skenarëve të ardhshëm, nga ana e grupit të Bardhit dhe të Berishës është thënë se do të merren vendime seancë pas seance, pasi janë rrëzuar kërkesat e tyre, duke mos përjashtuar edhe grevën e urisë. Ata kërkojnë ngritjen e Komisioneve Hetimore apo edhe bashkëdrejtimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore, mund të ndërmarrin akte të ndryshme deri në ekstrem siç edhe e tha vetë Gazment Bardhi. Asnjë prej skenarëve nuk përjashtohet. 26 deputetë janë përjashtuar, por ata nuk e njohin këtë vendim. Është thënë gjithashtu se do të ketë një mbledhje , ku edhe mund të vendoset se si do të reagojnë apo veprojnë. Pritet nga momenti në moment, ndoshta do të ketë një vendim zyrtar”, raportoi gazetarja Erneta Shevroja./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!