Sot, në studion e “ABC të Mëngjesit”, ishte i ftuar një njeri që ka kaluar kufirin mes jetës dhe vdekjes, Gjekë Beqi, një prej të rinjve që guxuan të arratiseshin nga Shqipëria komuniste drejt lirisë, por që rrugëtimi i tyre përfundoi në tragjedi.
Ishte nata e 18 majit 1990, kur dy vëllezërit nga Velipoja, Gjekë dhe Vat Beqi, vendosën të realizonin ëndrrën e tyre për t’u arratisur nga një vend që i konsideronte “armiq të klasës”.
Familja e tyre, e persekutuar dhe e cilësuar si “kulakë”, kishte mbartur për dekada damkën e “elementit të deklasuar”.
“Edhe pse 19 vjeç, isha gjithmonë armiku i klasës për shkak të historisë së familjes sime me komunizmin”, kujton Gjekë Beqi.
Vendimi për t’u arratisur u mor pas ligjit të 7 majit 1990, i cili e ulte dënimin për arratisje nga “tradhti ndaj atdheut” në 5 vite burg.
“Morëm zemër dhe vendosëm të iknim drejt Jugosllavisë, me shpresën për të mbërritur në Amerikë, ku mendonim se jetonte xhaxhai ynë”, tregon ai.
Në orën 10 të natës hynë në ujë pranë urës së Velipojës, me një kameradare që i ndihmonte të pushonin gjatë rrugës. Për 7 orë notuan në errësirë, drejt kufirit me Malin e Zi. Por në agim, rreth orës 5 të mëngjesit, u pikasën nga policia kufitare.
“Unë kisha marrë plumb në kokë. Më dinin për të vdekur, ndërsa vëllain tim e vranë në breg,” rrëfen Gjekë Beqi. “Oficeri i tha vëllait tim: ‘Do të të vras në breg’, dhe ashtu ndodhi. Ata menduan se unë do të vdisja rrugës, por unë mbeta gjallë.”
Në morg e kuptuan se kishte ende puls. “Në atë ditë u përballa me dy shtete; një që donte të më vriste dhe një tjetër që më solli në jetë nga pulsi zero,” kujton me emocion. Falë mjekëve, ai i mbijetoi plagëve, por më pas u dënua me 1 vit burg.
Pas daljes nga burgu, Gjekë Beqi kujton momentin më të vështirë të jetës: përballjen me prindërit pas vdekjes së vëllait.
“Ndihem me faj, sikur shkaktari i asaj ëndrre të parealizuar dhe vdekjes së tij isha unë. Babai më priti me buzëqeshje, dhe nuk e di ku e gjeti forcën t’i buzëqeshte një njeriu që ndjehej fajtor.”
Familja e Beqëve, pas shumë përpjekjesh, arriti të merrte trupin e Vatës për varrim.
“Nëna ime mbajti zi gjithë jetën. Shteti më ndihmoi me dokumente që provonin vrasjen e vëllait tim,” thotë ai.
Pas shumë vitesh, Gjekë Beqi dhe familja e tij arritën të shkelin në tokën amerikane, atë tokë për të cilën dikur derdhën gjak.
“Shkova në Amerikë, familja ime u pajis me dokumente falë historisë sonë. Sot e vizitoj çdo vit dhe qëndroj aty me muaj. E preka tokën që sakrifikuam,” përfundon ai me zë të dridhur./abcnews.al

