Në mbretërinë e ndotjes/ Elbasani, i njollosur nga metalurgjiku dhe Kurum. Agjencia e mjedisit: Shkak, dioksidi i karbonit

schedule19:13 - 3 Shtator, 2024

schedule 19:13 - 3 Shtator, 2024

E martë, mesditë.

Në kompaninë e prodhimit të hekurit Kurum në  Elbasan nuk  duket një dite e zakontë pune.

Oxhaqet nuk nxjerrin tym ndërsa zhurma ia ka lënë vendin qetësisë.

Punonjës të sigurisë qëndrojnë në hyrjet kryesore të uzinës ndërsa kamiona me hekur dhe skrap hynë e dalin.

Sheshi ku kompania  grumbullon skrabin duket thuajse bosh.

Ne nuk na lejohet të futemi në  mjediset e brendshme ndërsa  banorë të zonës hezitojnë të flasin.

Sapo i pyet për Kurum distancohen e thonë se nuk kanë lidhje me të.

Pak lëvizje nisin të  vihen re gjatë orarit të ndërrimit të turneve.  Një autobuz me më pak se 10 persona i drejtohet portës ku shkruan Kurum.

Kompania pranoi në fund të gushtit se prej fillimit të muajit uzinat e çelikut dhe  petëzimit në ish kombinatin metalurgjik kanë ndërprerë prodhimin. Kjo sipas saj për shkak të vështirësive ekonomike gjë që nuk reflektohet në bilancet e tre viteve të fundit të kompanisë ku rezulton me fitim.

Rreth 500 familje sipas autoriteteve kanë mbetur pa punë, por Kurum mohon pushimin kolektiv ndërsa në mjediset e uzinës bie në sy mungesa e tyre.

Pushimi kolektiv nga puna i punonjësve në uzinat e Kurum mori vëmendje të veçantë pasi erdhi në një kohë me eksportet e parregullta të konteniereve me mbetje të dyshura të rrezikshme që vijnë nga hiri i oxhaqeve metalurgjike nga Shqipëria drejt vendeve aziatike.

“Një raport vjetor i agjencisë kombëtare të mjedisit për nivelin e ndotjes se ajrit vlerëson se Elbasani kryeson listën e qyteteve që rezultojnë me nivelin e ndotjes mbi normat e lejuara të grimcave të pluhurit.

Ndërsa për qytetet e tjera vjen nga sëmundjet moderne urbane si ndërtimet dhe makinat, ndotja me monoksidin e karbonit, në Elbasan vjen për shkak të industrisë. 50 vjet pas ndërtimit të metalurgjikut dhe më shumë se tre dekada pas ndërrimit të regjimeve, shteti shqiptar jo vetëm nuk i dha zgjidhje finale metalurgjikut, por si në rastin e Kurum, ia la në dore korrupsionit dhe shkeljes së ligjeve, me fitime kolosale për disa dhe me pasoja të rënda sociale, ekonomike dhe shëndetësore për shumicën e banorëve të Elbasanit.”

Nga ish metalurgjiku për Abc News, Ajgena Korbi.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!