Në Maqedoninë e Veriut mbahet balotazhi për zgjedhjet lokale

schedule07:24 - 31 Tetor, 2021

schedule 07:24 - 31 Tetor, 2021

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të dielën (31 tetor) u janë drejtuar qendrave të votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, të drejtë vote në balotazh kanë 1.353, 990 qytetarë, të cilët këtë të drejtë mund ta realizojnë në 2,481 vendvotime.

Në raundin e dytë do të votohet në 44 komuna nga gjithsej 80 sa ka Maqedonia e Veriut, si dhe për kryetarin e Shkupit, që është njësi e veçantë e pushtetit lokal.

LSDM-ja garon në 30 komuna, VMRO DPMNE-ja në 25, BDI-ja në 13, Aleanca për Shqiptarët në 7, Lëvizja Besa në dy dhe në një komunë, kandidati i Partisë Demokratike Shqiptare.

Në rundin e parë, më 17 tetor janë zgjedhur 34 kryetarë të komunave, si dhe asambletë komunale të të gjitha 80 komunave.

Më së shumti komuna ka fituar opozita maqedonase që drejtohet nga VMRO DPMNE-ja, gjithsej 22. Lidhja Social-Semokrate (LSDM) e kryeministrit Zoran Zaev ka fituar në nëntë komuna, ndërsa në tri komuna Bashkimi Demokratik për Integrim.

Edhe në balotazh, beteja kryesore zhvillohet mes partive në pushtet dhe atyre në opozitës, mes kandidatëve të LSDM-së dhe VMRO DPMNE-së në njërën anë dhe atyre të BDI-së me kandidatët e Lëvizjes BESA që po ashtu është në pushtet dhe opozitës shqiptare, Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës.

Beteja kryesore mes tyre zhvillohet në Tetovë mes Teuta Arifit të BDI-së dhe Bilall Kasamit të Lëvizjes BESA. Në Gostivar mes Arben Taravarit të Aleancës për Shqiptarët dhe Nevzat Bejtës të BDI-së. Për Dibrën garojnë Bekim Pocesta i Aleancës për Shqiptarët dhe Hekuran Duka nga BDI ndërsa në Strugë, Ramiz Merko i BDI-së dhe Idri Istrefi i Aleancës për Shqiptarët.

Partitë maqedonase garojnë kryesisht për qytetet e Manastirit, Kumanovës, Ohrit, por betejën kryesore e kanë përqendruar për Shkupin.

Qytetarët mund të zgjedhin mes, Danella Arsovskës, kandidate e pavarur që ka mbështetjen edhe të VMRO-së dhe të opozitës shqiptare dhe Petre Shilegovit, kryetar aktual i Shkupit dhe kandidat i LSDM-së, që mbështetet edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

cShkupi, si njësi e veçantë e pushtetit lokal me dhjetë komuna urbane ka rreth 800 mijë banorë, bazuar sipas një statistike të vitit 2015.

Në raundin e parë, VMRO DPMNE-ja ka fituar në pesë komuna të Shkupit, ndërsa LSDM-ja në asnjë prej tyre.

Edhe në raundin e dytë qytetarët po votojnë me sistemin e ri biometrik – identifikimin e votuesve përmes gjurmëve të gishtave, i njohur si “fingerprint”.

Qytetarët votojnë me protokolle shëndetësore për mbrojtje nga pandemia e koronavirusit. Maskat mbrojtëse, distanca dhe dezinfektimi janë kriteret kryesore për realizimin e procesit votues.

Raundi i dytë po mbikëqyren nga rreth 1,300 vëzhguesit vendor, dhe afër 200 nga OSBE-ODIHR. Vëzhgues kanë akredituar edhe shumë ambasada të huaja në vend.

Të shtunën, të drejtën e votës e kanë realizuar të burgosurit, të moshuarit me sëmundje kronike, personat me invaliditet si dhe të infektuarit me covid-19.

Vendvotimet mbyllen në orën 19.00 ndërsa rezultatet publikohen në faqen elektronike të KSHZ-së./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!