Në Lushnjë toka plugohet me prodhimet, falimentojnë fermerët

schedule14:33 - 12 Prill, 2018

schedule 14:33 - 12 Prill, 2018

Në Lushnjë shumë fermerë kanë dështuar me prodhimet e stinës. Tashmë ata po përgatisin tokën për mbjelljet e tjera, por duke e pluguar atë bashkë me kulturat.

Është duke punuar tokën bashkë me preshët. Në Lushnjë traktoristët paguhen për të shkatërruar prodhimet.

Pavarësisht çmimit, ata punojnë jo vetëm për të pluguar, por edhe për të prishur të mbjellat.

Alush Nezha ka 15- vjet që me traktorin e tij bën këtë punë. Ndihet keq kur shikon atë që ndodh nga plugu i tij.

Mungesa e treg shitjes dhe çmimi i ulët i preshit, më pak se 10 lekë për kg, solli falimentimin e prodhuesve.

Ashtu si Fitim Musaku, i cili po paguan traktoristin për të pluguar tokën e mbjellë, ka shumë të tjerë që dështuan në kulturën e preshit.

Të gjitha tokat e mbjella në Qerret të Lushnjës, me presh, do të plugohen pa u vjelë.

Fermerët presin radhën kur zhurma e traktorit të mbarojë dhe të nisin pastrimin e sipërfaqes nga prodhimet që mbeten pa u shitur.

Më shumë se 150 ha tokë vetem me presh është mbjellë për vitin 2018 sipas drejtorisë së bujqësisë në Lushnjë. Çmimi maksimal shkoi në 20 lekë për kg, kurse aktualisht në treg nuk ka kërkesa për këtë kulturë. Për pasojë, tufat me presh të kthyera nga tregu kanë mbushur kanalet bri rrugëve, dhe prodhimi nuk ka mbaruar së shkuluri i gjithë.

Gazetare e ABC News, Lushnjë: Anila Sefa