Analisti Rezart Lahi deklaroi se pagesa cash është një transaksion financiar dhe nuk nënkupton automatikisht informalitet. Sipas tij, masat e fundit nuk janë ndëshkim apo rritje kostoje, por heqje e një avantazhi për subjektet që operojnë në mënyrë informale, veçanërisht në tregtinë online.
Lahi theksoi se blerjet online po rriten ndjeshëm dhe se informaliteti mbetet problemi kryesor i këtij sektori, duke shtuar se është momenti që tatimet të veprojnë për të garantuar barazi fiskale.
“Pagesa cash është transaksion financiar dhe nuk ka rëndësi mënyra; nëse e merr cash, nuk do të thotë që je informal dhe nuk është se e thjeshton një proces. Nuk është një rritje e kostos apo një ndëshkim për ata që nuk kanë pasur një NIPT; dikush operon nga rrjetet dhe e reklamon, por është heqja e një avantazhi. Ato detyrime i kanë, por nuk i zbatojnë.
Disa biznese të vogla, nga pamundësia, nuk mund të bashkohen; kjo sjell edhe elementë të rinj. Mund të shkosh ti si punonjës në një kompani online dhe të paguhesh shumë më tepër. Problemi është te taksat, të cilat janë të drejta kur janë të barabarta për të gjithë.
Tendenca e blerjeve online vijon shumë e lartë; janari ka pasur një rritje marramendëse. Tregtia online ka si problem kryesor informalitetin; është momenti që tatimet të veprojnë. Nëse formalizohen, çdokush mund të investonte.” / abcnews.al /


