Në 35 vite një 77 vjeçare nga Korça ndan jetën mes shtëpisë dhe spitalit. Betejat me sëmundjen Eftimie Vranishti i ka nisur në moshën 42 vjeçare. Prej atëherë ka kryer gjashtë ndërhyrje kirurgjikale për probleme të ndryshme shëndetësore. Sfida e fundit është kanceri I gjirit me të cilin po lufton prej gjashtë muajsh.
Spitalet janë kthyer në shtëpi të dytë për Eftimie Vranishtin nga Korça.
Prej 35 vitesh 77 vjeçarja jetën e ndan mes ambienteve spitalore, ku i është nënshtruar 6 ndërhyrjeve, që prej moshës 42 vjeçare, kur u operua për herë të parë në mitër.
“Jam operuar 6 herë, nga zorra e trashë, pastaj tiroiden, për mitrën jam operuar në moshën 42 vjeçare. Se ku mbahet ky shpirt se di….”
7 muaj më parë, Eftimia u diagnostikua me kancer të gjirit, ku kreu edhe ndërhyrjen e gjashtë kirurgjikale, ndërsa e gjejm pranë Spitalit Onkologjik për të kryer rrezet pas operacioni.
Përballja me sëmundje në këtë moshë për 77 vjeçaren nuk ishte e lehtë, ndërsa shkak i zbulimit të sëmundjes iu bë një shqetësim në stomak.
“Unë i jam drejtuar spitalit për rreze, kam operuar gjirin, jam nis që në 6 nga Korça. Para 7 muajsh bëra operimin. Nuk kam pasur probleme më heret, shkova për stomakun edhe më thane që ke këtë problem, kancerin e gjirit”.
Me Eftimien është gjithnjë Irakliu, shoqëruesi i saj thuajse gjatë gjithë jetës, të cilin ajo e quan mbështetjen e saj më të madhe
“Mbështetja, i kam dhënë kurajo vetes, tek burri dhe fëmijët. Fëmijët i kam në Greqi, kemi njëri-tjetrin mbështetje”.
Eftimia është nëna e dy fëmijëve të cilët jetojnë jashtë vendit, mbështetja e të cilëve nuk i ka munguar kurrë tregon ajo, por Irakliu na thotë arsyen pse nuk mund të mungojë.
“Te çdo vend që ka vajtur kam qenë me të, bashkëshortja është jeta e të dyve. Pa këtë nuk bëj dot”.
Një histori e vecantë ajo e Eftimies dhe Irakliut, të cilët te dy na tregojnë se si vetëm me dashuri për njëri tjetrin për mbi 55 vite e përballën sfidën shëndetësore që s’i ka lëkundur./abcnews.al