Në kurthin e Edi Ramës

schedule12:59 - 30 Prill, 2021

schedule 12:59 - 30 Prill, 2021

Nga Endri Xhafo

Lulzim Basha është tani në kurthin e Edi Ramës. Në fjalimin e fitores me Skënderbeun për sfond, “Skënderbeu” i socialistëve tha se është i gatshëm të përpiqet me të gjitha forcat e tija që të bashkëpunojë me PD-në, “kushdo që do ta drejtojë atë në 4 vitet e ardhshme”. Kjo tingëlloi si një nxitje e hapur që demokratët të masakronin shefin e tyre për humbjen e radhës, e kësisoj edhe fitorja e Ramës ndaj Bashës të ishte totale, politike dhe personale. Diversione të tilla i bënte shpesh edhe Berisha, kur deklaronte se nuk i takonte atij të vendoste kush do ta drejtonte PS-në.

Por Rama në mos e ka ditur, e ka nuhatur, shpresuar, – tek e fundit s’humbte asgjë të fliste siç foli, – që Basha nuk do të largohej. Kur Basha premtoi rezistencë, oferta për bashkëpunim u shndërrua në ftesë konkrete për bashkëqeverisje.

Rama përjashtoi mbrëmë bashkëqeverisjen me PSD-në e Tom Doshit, sado që dorëheqja e këtij të fundit ishte qartas në mos e orkestruar nga vetë Rama, të paktën një vënie në dispozicion, por pa sikletin e Doshit në Parlament. Doshi fitoi 3 mandate, duke i bërë karshillëk të hapur ambasadores Yuri Kim, si për t’i thënë se pavarësisht se ti më luftove madje edhe në “shtëpinë” time në Shkodër, unë jo vetëm u zgjodha, por mora aq vota në të gjithë Shqipërinë sa për të nxjerrë 3 deputetë.

Pas kësaj fitoreje kaq spektakolare personale, dorëheqja e Doshit dhe deklarata e tij, madje duke ia korrigjuar pyetjen gazetarit, – hë, bëje, bëje tamam pyetjen, jo aleancë me PD, jo, aleancë vetëm me PS, – kjo deklaratë u interpretua si strategji direkte e Edi Ramës për të siguruar një mazhorancë të rehatshme prej 77 deputetësh. Aq më shumë që përpara zgjedhjeve Rama nuk e dënoi asnjëherë direkt Tom Doshin, por u mjaftua me pohimin se nuk do ta bënte kurrë ministër.

Me dorëheqjen e Doshit edhe ambasadorja mund të flinte e qetë, se presioni i saj në politikën shqiptare dha fryte. Dhe si në përallat me princër e princesha, në fund të gjithë jetuan të lumtur e të gëzuar.

Por shifrat e zgjedhjeve sot tregojnë se Edi Rama nuk ka nevojë për askënd për të bërë qeverinë i vetëm, një qeveri pa duar të tjera që futen në tavën e pushtetit. Atëherë pse ftesa për PD-në e Bashës?

Sot Basha është në një betejë të brendshme me të vetët. Në fakt ata që kërkojnë largimin e tij përveç largimit s’dinë ç’duan. Bujar Nishani thotë se PD nuk duhet të futet në Parlament. Arben Imami tha mbrëmë të kundërtën në LOG., se pikërisht djegia e mandateve herën e parë hynte te “performanca e dobët e lidershipit demokrat” pas 2017-ës.

Kur i pyet këta se kush është kandidat për të zëvendësuar Bashën, të del vetëm emri i Fatbardh Kadillit, sepse sipas tyre “e rëndësishme është largohet një herë Basha, ndaj të mos zgjatemi te emrat”, etj.etj. Mirëpo pa një emër të përveçëm si alternativë, që njerëzit ta dinë me kë kanë të bëjnë, Basha do të mbretërojë në PD pa i hyrë gjëmb në këmbë. I njëjti argument që vlejti për zgjedhjet e përgjithshme se “mirë po heqim Ramën por kë të vëmë në vend të tij” vlen më shumë për PD-në. Sepse, siç tha edhe vetë Arben Imami mbrëmë, mes dy alternativave të njëjta njerëzit kanë prirje të zgjedhin gjithmonë status quo -në.

Largimi hipotetik i Bashës ngre pikëpyetje ekzistenciale për partinë: Kush është ai që do të mund të unifikojë rrymat, fraksionet, të bëjë bashkë të larguarit, të pakënaqurit, bazën dhe “senatorët”, të krijojë frymën brenda partisë dhe jashtë saj, të bindë të pavendosurit dhe oportunistët jashtë PD-së se PD ia vlen të rikthehet në pushtet në 2025, në mënyrë që të kalohet pragu i 750 mijë votave që u duhen demokratëve për të ardhur në pushtet? Partia është kaq e shkalafitur nëse fusim në ekuacion edhe të larguarit, sa Jozefina Topalli nuk pranoi këtë herë të dalë në një listë të përbashkët me Astrit Patozin, Ridvan Bode dhe Besnik Mustafaj flasin me heshtjen e tyre për punët e brendshme të PD-së, Bamir Topi ha veten me dhëmbë që i duhet të shkruajë libra kur mund të ishte në ballë të “luftës”, Genc Rulit s’i del e keqja si ia hodhi Basha me komisionin e kandidaturave dhe mbështet Fatbardh Kadillin, Bujar Nishani dhe Arben Imami nuk rakordohen për “gabimet” e Bashës, Bujar Nishani si kryetar i Këshillit Kombëtar nuk di se kur dhe as nëse do ta mbledhë ndonjëherë Këshillin Kombëtar, Edith Harxhi dhe Edvin Kullurin dalin sa në njërën studio në tjetrën në një déjà-vu të 2017-ës dhe të gjithë këta, pa përjashtim, i kanë sytë nga Berisha, që duket sikur i mban të tërë varur në ca fije peri të padukshme, duke bërë deklarata evazive për përgjegjësitë, por edhe vjedhjen e zgjedhjeve.

Në fakt rreziku më i madh i Bashës sot është baza e partisë, njerëzit që janë të uritur nga 8 vjet opozitë, të cilëve tani po u thuhet se do të rrinë edhe 4 të tjerë, ndërkohë që ishin karikuar kaq shumë që më në fund do të aksesonin pushtetin me gjithë të mirat materiale që vijnë me të, vendet e punës, kontratat, favoret. Çfarë po bën Rama me ftesën e tij? Po përpiqet të shfryjë këtë frustrim, sipas parimit “kur ka për njërin, ka për të gjithë”. Basha është në kurthin e kësaj situate.

Qysh në 30 nëntor, pasi e ngacmova fort disa herë, u detyrua të thotë po në LOG., se nuk do të ketë kurrë bashkëqeverisje me Edi Ramën. Këtë pohim ia përdora sërish ditën kur e intervistova në makinë një javë përpara zgjedhjeve, ku në vend të metaforës së timonit ai preferoi të përdorë atë të udhëheqësit që tregon rrugën. Por Basha nuk e ka problem të thotë të fundit në fillim dhe më pas të mos u qëndrojë deklaratave të veta. Kështu bëri në 2017 kur u përbetua për republikën e re, që e varrosi në marrëveshjen e 17 majit. Apo kur deklaroi gjatë fushatës se kurrë nuk do të kishte aleancë me LSI-në. Apo në 2019, pas djegies së mandateve, kur deklaroi se nuk do futeshin në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, se nuk do të uleshin me Damian Gjiknurin, etj.etj. Lulzim Basha mund ta rishqyrtojë qëndrimin e tij edhe këtë herë. Diskutimi në parti është i thjeshtë dhe pragmatist: “Na duhen disa ministri dhe drejtori të përgjithshme nga ato me lekë, se s’kemi me ça i mbajmë njerëzit tanë”. Diskutimi publik lidhet me ato që thotë Rama, nevojën për integrimin europian, caktimin e datës për çeljen e negociatave, çuarjen përpara të projekteve të mëdha infrastrukturore, etj.etj. Pyetja që lind në fund është se kush do t’i marrë meritat për të gjitha këto?

Le të pranojmë për një moment logjikën e “ramistëve”, të cilët pandehin se me mandatin e tretë Rama po mendon vetëm për “legacy “. Po mirë, kur të vijë koha për të bërë bilancin qeverisës në 2025, kujt do t’i kërkohet llogari për mosrealizimet? Kush do të mund të mburret me integrimin? Po me portet dhe aeroportet, nëse nuk ngelen më 3D? Po me vaksinimin? Rindërtimin?

Sado që duket tunduese për të ulur presionin brenda partisë sigurimi i ca vendeve të punës për anëtarësinë dhe militantët, sado që Edi Rama deklaron se nuk ka asnjë vijë të kuqe për bashkëqeverisjen me PD, sado që nisur nga kjo mund të gjendet dakordësi për taksën e sheshtë, uljen e çmimit të naftës dhe energjisë elektrike, rritjen e rrogave dhe pensioneve, rritjen e buxhetit për arsimin në 5%, rishikimin e kontratave koncesionare, etj.etj., në fund PD nuk do të ketë asnjë argument për të kërkuar votëbesimin e shqiptarëve në 2025. Në 2017-ën, gjatë qeverisjes së përbashkët 3-mujore me PS-në, PD bëri fushatë jo kundër PS-së, por kundër LSI-së. Në perspektivën e zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës, një qeverisje e përbashkët PS-PD do t’i shërbente vetëm PS-së si forca kryesore qeverisës dhe do t’i siguronte Ramës mandatin e katërt.

Ja pse Basha është në kurthin e Ramës, i cili është i fituari i madh edhe nëse Basha e refuzon ftesën e tij. PD po futet në një spirale tollovitje të brendshme që do t’i marrë ca kohë, njësoj si në 2013 e 2017. Veprimet ekstreme që synuan të unifikojnë partinë pas këtyre momenteve të çakordimit të brendshëm, – “çadra” në 2017 dhe djegia e mandateve në 2019, – vetëm sa i shkaktuan kosto politike brenda dhe sidomos jashtë vendit. Lulzim Basha duket tani si në një qorrsokak.

Por ai vetëm i dobët nuk është. Një njeri që ka mundur ta marrë dhe sidomos ta mbajë partinë demokratike nga njëra humbje në tjetrën, të paktën një zotësi e ka. Nuk do të doja të isha në pozitën e tij në këto momente, por, nëse nuk ka ndër mend të japë dorëheqjen, forcën për të vazhduar më tej mund ta gjejë në idenë se edhe një rrugë në dukje e gabuar, diku të çon. Edhe një orë e prishur, dy herë në ditë e tregon kohën e saktë. Mbase edhe koha e Bashës do të vijë, dikur, diku.