Në kërkim të vrasësit të Çelës, makina s’i ndalon patrullës, RENEA i vihet pas (Pamjet e ndjekjes në Elbasan)

schedule20:34 - 17 Shtator, 2020

schedule 20:34 - 17 Shtator, 2020

RENEA vijon operacionin në qarkun e Elbasanit në kërkim të autorëve të vrasjes së Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës. Mbrëmjen e sotme, forcat e RENEA-s janë zhvendosur nga fshatrat në kufi me Peqinin, në krahun tjetër të qytetit në fshatin Mengël në aksin Elbasan-Librazhd.

Abcnews.al mëson se forca të shumta dhe automjete të policisë janë vendosur në ndjekje të një makine, e cila nuk i është bindur urdhrit të patrullës për të ndaluar duke u larguar me shpejtësi.

RENEA ende nuk kanë rënë në gjurmët e makinës. Abc News sjell pamjet e operacionit nga ndjekja në aksin Elbasan-Librazhd. Pasditen e sotme në Elbasan ishte edhe kupola e policisë së shtetit me Ardi Veliun në krye, që ishte mjaft i ashpër me drejtuesit e Elbasanit duke ngritur tonin.

Bujar Çela u ekzekutua mëngjesin e sotëm me katër plumba. Ai u vra jashtë një lokali ku po pinte kafen. Çela ishte person pa precedent penalë dhe punonte si taksist në të zezë, ndërsa ekzekutimi dyshohet se mund të jetë hakmarrje për aktivitetin kriminal të vëllait.

Ekzekutimi i tij dyshohet se mund të jetë bërë nga dy persona të maskuar të cilët më pas janë larguar menjëherë nga vendngjarja me një makinë tip “Renault” me targa të vjedhura në Rrogozhinë. db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!