Në kërkim të tij, si arriti vrasësi shqiptar t’i shpëtojë ekstradimit

schedule11:58 - 28 Prill, 2019

schedule 11:58 - 28 Prill, 2019

“Një vrasës shqiptar, në listën e njerëzve më të kërkuar të Interpolit është në arrati pasi u lirua me kusht nga drejtësia britanike”.

Kështu hapet artikulli i të përditshmes britanike “Express” për Hektor Mahmutajn. 43-vjeçari kërkohet nga Shqipëria pasi është dënuar me 25 vjet burg për vrasjen e Gentjan Jahajt. Sipas medias britanike, në Tetor gjykatësi Tan Ikram vendosi që Mahmutaj të ekstradohej në Shqipëri. Megjithatë edhe pse shqiptari kishte disa dënime në Britani, duke përfshirë armëmbajtje pa leje, arriti të lirohej me kusht.

Kjo ndodhi gjatë kohës që çështja e tij iu referua Sekretarit për Emigracionin, Sajid Javid, për një vendim final mbi ekstradimin sepse Mahmutaj nuk është qytetar i BE. Javid vendosi në fund të vitit të kaluar që 43-vjeçari të ekstradohej. Por që prej lirimit me kusht, për Mahmutajn nuk ka më asnjë të dhënë. Ai u arratis dhe nuk dihet vendndodhja.

Shqiptari ka mohuar akuzat për vrasjen. Pritet që çështja e tij të kalojë për rigjykim sapo të ekstradohet në Shqipëri, pavarësisht dënimit me 25 vjet burg që është marrë në mungesë të tij. Rasti i shqiptarit ka bërë që kritikët britanikë të hedhin akuza mbi sistemin e drejtësisë. Sipas tyre, njerëzit po vihen në rrezik për shkak të disa vendimeve të gjykatave. Ndërkohë Mahmutaj argumentonte se ekstradimi i tij ishte në kundërshtim me të drejtat e njeriut.

Pas vrasjes në Shqipëri, ai u fsheh në një fermë dhe arriti të arratisej në Mbretërinë e Bashkuar. Që prej vitit ‘97, jetonte në Liverpool dhe për t’i shpëtuar kapjes përdorte 13 emra të ndryshëm. Por Mahmutaj ishte ndjekur dhe burgosur disa herë edhe në Britani që nga viti 2002. Pavarësisht këtij fakti, ai arriti të mashtronte autoritetet prej emrave që përdorte.

Në vitin 2007, 43-vjeçari u dënua me dy vjet burg nga Gjykata e Liverpool-it për armëmbajtje pa leje. Si garanci për lirinë me kusht ai pagoi 10.000 Paund. Ndërkohë ishte i detyruar që të mos udhëtonte jashtë vendit, të raportonte çdo ditë në polici dhe të jetonte në banesën e tij në Huyton të Liverpool. Zëdhënësit e Zyrës së Emigracionit nuk kanë arritur të kthejnë përgjigje se pse Mahmutaj nuk është depërtuar që në kohën kur doli për herë të parë në vëmendjen e drejtësisë britanike si emigrant i paligjshëm./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!