Në kërkim të “Tanit” të Rinasit, besimtar dhe komando

schedule14:10 - 27 Prill, 2019

schedule 14:10 - 27 Prill, 2019

Personi i gjashtë i arrestuar nga policia si i dyshuar për grabitjen e 9 prillit në Rinas u mor në pyetje nga oficer të policisë gjyqësore. Ragip Hajdini ka mohuar të ketë dijeni se kush është personi tjetër i shpallur në kërkim. Prokuroria e Krimeve të Rënda, dyshon se i kërkuari me nofkën “Tani”, është larguar në drejtim të Kosovës, bashkë me vëllezërit Klement dhe Eldi Çala nga Fushë- Kruja.

Pas prangosjes së Ragip Hajdinit, i njohur me pseudonimin “Daja”, Policia e Shtetit është vënë në ndjekje të personazhit misterioz me emrin “Tani”. Emri këtij të fundit doli në skenë nga dëshmitari i drejtësisë Alkond Bengasi Qevani.

Oficerë të policisë gjyqësorë kanë marrë në pyetje 50-vjeçarin Hajdini në ambientet e drejtorisë vendore të policisë së Tiranës, me origjinë nga Peja e Kosovës. Ai ka mohuar të ketë dijeni për grabitjen e 9 prillit në Rinasi si edhe me personin tjetër të quajtur “Tani” nga Fushë-Kruja. Policia ushtroi përsëri kontroll mëngjesin e së shtunës në banesën e Ragip Haxhiajdini ose Hajdini me mbiemrin e ndryshuar, në zonë e Shkëmbit të Kavajës, ndërsa avokati i 50-vjeçari ka vënë dispozicion të grupit hetimor disa prova si pamje filmike për të përjashtuar atë nga të dyshuarit e tjerë si pjesëmarrës në supergrabitjen e Rinasit. Ndërkohë prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar të njihet me tabulatet telefonike të prangosurit të gjashtë.

Sipas organit të akuzës, këqyrja e aparateve telefonike të Ragip Hajdinit si edhe të pesë personave të tjerë të prangosur më herët, bëhet me qëllim për të vërtetuar nëse kanë biseda ndërmjet njëri-tjetrit në aplikacionet “Ëhats app”, “Facebook” dhe rrjete të tjera komunikimi elektronik.

Për dëshminë e dhënë të Alkond Bengasi Qevani, Prokuroria e Krimeve të Rënda do të kërkojë ballafaqim viziv me shtetasin nga Kosova “Daja”. Misteri më i madh për grupin hetimor mbetet “Tani”. Sipas dëshmitarit Bengasi, ai ishte i gjatë rreth 180-185 cm me origjinë nga Fushë-Kruja me pak mjekër si edhe besimtar i fesë islame. Nisur nga karakteristikat e përcaktuara nga Bengasi, dyshohet se “Tani” të jetë edhe Komandoja që shihet në këtë foto pas krahëve të të ndjerit Admir Murataj, gjatë aksionit për grabitjen e disa miliona eurove, pikërisht brenda pistës së avionit në Rinas.

Për këtë arsye, prokuroria ka kërkuar ndihmën e ministrisë së Mbrojtjes për të krahasuar në databazën e saj nëse personi i cili duket nga ana vizive me veshje kamuflazhi ushtarake ka qenë ndonjëherë në radhët e ushtrisë. Për prangosjen e “Tanit”, FNSH dhe RENEA, zhvilloi një operacion të gjërë ditën e enjte në qytetet e Krujës, Fushë-Krujës dhe Elbasanit por pa rezultat. Dyshohet se personi i shpallur në kërkim të jetë larguar në drejtim të Kosovës, bashkë me vëllezërit Klement dhe Eldi Çala. Këta të fundit dhe i ndjeri Admir Muratj dyshohen se kanë qenë organizatorët kryesorë të grabitjes së Rinisit.    /abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!