DURRËS- Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg” ndaj një 41-vjeçari të dyshuar për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës vunë në pranga shtetasin 41 vjeç, banues në Shijak, ndaj të cilit Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Sipas Policisë, 41-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se më 1 qershor 2023, në Shijak, ka qëlluar me armë zjarri një shtetas për motive të dobëta.
Ai akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme hetimore.
/abcnews.al/



