Në kërkim për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj, arrestohet në Dubai ish-anëtari i bandës së Durrësit

schedule15:34 - 8 Shkurt, 2024

schedule 15:34 - 8 Shkurt, 2024

Policia e Dubait ka ndaluar Julian Meçajn, i shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare, si i dyshuar për përfshirje në atentatin ndaj ish prokurorit Arjan Ndoja tek mbikalimi i Shkozetit.

Abc News mëson se Julian Meçaj është ndaluar disa ditë më parë nga Interpol Abu Dhabi në Emiratet e Bashkuara Arabe, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë. I njohur si anëtar i ish bandës së Durrësit, Julian Mecaj, është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana.

Gjykata e Posaçme ka caktuar për 47 vjeçarin masën e sigurisë “Arrest në burg”, për 6 vepra penale, më të rëndat nga tëe cilat, “Vrasja e funksionarëve publike mbetur në tentativë” dhe “Grup i strukturuar kriminal”. Emri i Julian Meçajt për këtë atentat u përmend nga i penduari i drejtësisë Nuredin Dumanit gjatë rrëfimeve të tij për prokurorët.

Sipas hetimeve të SPAK, më datë 1 nëntor 2019 në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të Mbikalimit të Shkozetit, dyshohet se Julian Meçaj në bashkëpunim me persona të tjerë ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit në të cilin udhëtonin prokurori Arian Ndoja, Aleksandër Laho, i njohur si Rumi i Shijakut dhe Andi Maloku shoferi i prokurorit. Si pasojë e të shtënave u plagosën Arian Ndoja, Aleksandër Laho, Andi Maloku, ndërsa disa ditë me pas ky i fundit ndërroi jetë.

Lidhur me këtë ngjarje është dënuar me burgim të përjetshëm Redjan Rraja dhe me 35 vite burg bashkëpunëtori Arjol Halilaj.

Në Janar të vitit 2023, me urdhër të SPAK për atentatin ndaj Arjan Ndojt, u arrestuan Kili Ndërjaku, Marsel Deçka, Endrit Sinani, Julian Pjetri dhe Bashkim Haxhija.

Ndërkohë në kërkim për këtë ngjarje vijon të jetë Plerent Dervishaj. Prokuroria e Posaçme thotë se atentati ishte urdhëruar pikërisht nga Plarent Dervishaj, ndërsa personat e tjerë kanë krijuar kushtet për të kryer vrasjen.

Shqipëria nuk ka një marrëveshje ekstradimi me Dubain, megjithatë për këtë rast mësohet se Interpol Tirana është duke kryer të gjitha procedurat në bashkëpunim me Interpol Abu Dhabi me qëllim ekstradimin e Julian Meçajt drejt vendit tonë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!