Arrestohet “Leksi i druve”/Aleks Ndreka kapet në Itali, ishte në kërkim për operacionin “Metamorfoza”

schedule12:37 - 10 Qershor, 2024

schedule 12:37 - 10 Qershor, 2024

Autoritetet italiane kanë vënë në pranga Aleks Ndrekën, i njohur ndryshe edhe si Leksi i Druve, i cili ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme.

Mësohet se 47-vjeçari Aleks Ndreka, është kapur në aeroportin Malpenses në Milano, për shkak se për të ishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme më 23 korrik të vitit 2023. Ndaj  tij gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, për sigurim kushtesh apo mjetesh për të kryer vrasje.

Ka qenë Interpol Tirana që ka siguruar informacion mbi vendndodhjen e Leksit të Druve, të cilët më pas kanë informuar homologët e tyre në Itali për kapjen e 47-vjeçarit, i cili ishte nisur nga Spanja dhe sapo ka mbërritur në tokën italiane i janë vënë prangat.

Emri i Aleks Ndrekës, doli gjatë operacionit Metamorfoza,, pas zbërthimeve nga SPAK të qindra bisedave në Sky Ecc. Në këtë operacion u zbulua një grup kriminal që vepronte kryesisht në Shkodër, ku në pranga ra edhe biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish shefi i operacionale Oltion Bistri, apo edhe ish prokurori I Kukësit Xhevahir Lita, ndërsa u shpallën në kërkim, vetë Ndreka, Ervis Martinaj, si dhe disa persona të tjerë.

Sipas hetimeve të SPAK, Leksi i Druve, ka marrë informacione për lëvizjet e Dorian Dulit, Ibrahim Liçit dhe Genc Tafilit dhe më pas këto informacione dyshohet se i dërgonte tek grupi i Bajrajve dhe Pëllumb Gjokës me qëllim që ti vrisnin.

47-vjeçari u ka shpëtuar disa atentateve, një prej të cilëve në dhjetor të viti 2020, kur ndaj tij u qëllua me breshëri armë në autostradën Lezhë-Laç. Në këtë atentat ai mbeti I plagosur. Në mars 2022, sipas hetimeve Leksi i Druve i shpëtoi një tjetër atentati në afërsi të Lezhës.

Ndërkohë nga një tjetër hetim i SPAK, rezulton se Leksi i Druve ishte në konflikt edhe me bandën e ish Deputetit Arben Ndoka, dhëndri i të cilit Arian Tuku, ka tentuar ta eliminojë fizikisht. Sipas SPAK, Arben Ndoka dyshonte se Aleks Ndreka dhe Ardian Nikulaj kishin ndihmuar Durim Bamin për vrasjen e të vëllai, Aleksandër Ndokës.

Pas arrestimit të Aleks Ndrekës në Itali, pala shqiptare po punon për ekstradimin e 47-vjeçarit drejt Shqipërisë.

/abcnews.al