Në garë me Rusinë dhe Kinën, Mattis kërkon rritjen e buxhetit për mbrojtjen

schedule20:34 - 1 Shkurt, 2018

schedule 20:34 - 1 Shkurt, 2018

Shtetet e Bashkuara duhet të shpenzojnë 716 miliardë dollarë për mbrojtjen vitin e ardhshëm, në mënyrë që t’i bëjnë ballë epërsisë në rritje të ushtrisë ruse dhe asaj kineze.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, ka deklaruar përpara grupit parlamentar republikan se ushtria e Shteteve të Bashkuara duhet të bëhet më agresive. Gjatë një takimi të zhvilluar në Virxhinian Perëndimore, Mattis ka folur për forcën aktuale të sistemeve mbrojtëse të Amerikës dhe fondet që nevojiten për t’i mbajtur ato në funksion. Deklaratat e tij vijnë në një kohë, kur ushtritë ruse dhe kineze po sfidojnë me praninë e tyre supremacinë ushtarake të Shteteve të Bashkuara.

Gjithashtu, Mattis ka shprehur shqetësimin e tij për zgjidhet afatshkurtra që ligjvënësit amerikanë kanë miratuar së fundmi, që e kanë detyruar Pentagonin të punojë me buxhet të reduktuar. “Administrata duhet të miratojë 716 miliardë dollarë buxhet për mbrojtjen në vitin fiskal 2019, rreth 50 miliardë më shumë se buxheti i kërkuar nga presidenti Trump për vitin aktual”, ka deklaruar Mattis. “Nuk jemi delikatë, por duhet ta bëjmë ushtrinë më të fortë”, ka vijuar ai.

Në vitet e fundit, ushtarakë të lartë amerikanë kanë vënë në dukje se ushtria e Shteteve të Bashkuara ka humbur pikë krahasuar me homologen kineze dhe atë ruse. Por të tjerë insistojnë se Amerika vazhdon të mbetet vendi i parë në botë, sa i takon shpenzimeve ushtarake./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!