Në Frakull prodhohet salca shqiptare që po “çmend” italianët

schedule16:30 - 9 Shtator, 2019

schedule 16:30 - 9 Shtator, 2019

Në Frakull të Fierit prodhohet një salcë, e cila po konkurron denjësisht në tregun italian. Altin Hoxhaj i cili zotëron këtë sipërmarrje thotë se produkti është rezultat i një cikli ku ruhet shija karakteristike e domateve dhe nuk përdoren simulantë.

Një salcë shqiptare që po kërkohet shumë nga italianët, nga një fabrikë e vogël në Frakull. E pazëvendësueshme për shkak të shijes që i shton ushqimit. Këtë mësoi duke punuar për 15 vjet, atje ku tradita e prodhimit të salcës konsiderohet art.

Me përvojën dhe guximin e mjaftueshëm, Altini po mban në këmbë një biznes agropërpunimi.

“Unë e mbjell domaten vetë, e përpunoj vetë dhe e di çfarë nxjerr në treg”.

Klima e tregut vendas mund të jetë e pafavorshme, por kësaj sipërmarrjeje i mjaftoi vetëm klima bujare e Frakullës. Cilësia e salcës që konkurron denjësisht në tregun italian, fillon që në mbjelljen e domates. Farëra të përzgjedhura, kultivim organik i bimëve dhe përpunim nëpërmjet avullit. Ky i fundit e prodhon salcën duke ruajtur shijen karakteristike të domateve të fushës.

“Shija e domates në këtë linjë që kemi ne hyn në shishe direkt nga bluarja”.

Pothuajse e gjithë sasia e salcës që del nga kjo fabrikë shkon për eksport. Produkti është rezultat i një cikli ku nuk përdoren simulantë apo konservues. Kjo e bën koston e prodhimit dhe çmimin e shitjes më të lartë se produktet e zakonshme që mbizotërojnë në tregun vendas./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!