Në Bunavi të Vlorës, mes pluhurit dhe mjerimit

schedule19:15 - 3 Prill, 2019

schedule 19:15 - 3 Prill, 2019

Disa fshatra dhe pse të populluar shumë pranë qyteteve ndodhen në kushte shumë të vështira ekonomike dhe sociale. I tillë është edhe fshati Bunavi vetëm 4 kilometra nga qyteti i Vlorës.

Bunavia është nga fshatrat me afër me qytetin e Vlorës. Por pamjet tregojnë një vend të harruar prej dekadash. Janë vetëm 4 kilometra rrugë. Pluhur e gropa në tërë gjatësinë e saj. Makina të rënda transportojnë materiale inerte aty ku aktualisht po punohet në autostradën Levan-Fier. 

Shumë banorë janë larguar nga Bunavia. Kanë patur më tepër se një arsye për këtë. Por rruga është ajo që po i mjeron më tepër të mbeturit këtu.

“Kjo ka disa vite që është amortizuar. Pothuajse që kur është bërë autostrada, këtë nuk është vënë dorë”, tha një banor.

Aq shume dëmtime në 10 vjet, saqë banorët tregojnë se aty është zbuluar kalldrëmi i punimeve të bëra nga italianët në periudhën e Luftës së Dytë Botërore.

“Edhe kaq rron nga kalldrëmi i Italisë”, tha një banor tjetër.

Në Bunavi nuk ka as shkollë dhe as qendër shëndetësore. Për të shkuar deri në Vlorë funksion vetëm një fugon.

“As shkollë, as ambulancë. Na thanë bëjmë godinën. E bënë dhe as doktor, as infermier nuk ka shkelur më këtu tek neve. Këtu nuk ekziston asgjë. Këtu jemi në mëshirë të fatit”, u shpreh një i moshuar.

Dikur si shtojcë e qytetit të Vlorës, familjet tani janë të izoluara. Nga kultivues të vreshtave me ulli të Bonavisë, ata thjesht presin të shtyjnë ditët mes pluhurit dhe zymtësisë së mjerimit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!