Në “Air Albania” kërkohet “mrekullia”, Tirana luan gjithçka ndaj “shqiponjave” të Stambollit

schedule14:56 - 3 Gusht, 2023

schedule 14:56 - 3 Gusht, 2023

Pas humbjes së thellë, 3 me 1, në “Vodafone Arena” të Stambollit, të enjten e shkuar, “bardheblutë” e Tiranës do të presin mbrëmjen e kësaj të enjteje, “shqiponjat” e Besiktas, kësaj radhe në “Air Albania” për të çuar deri në fund misionin e tyre në këtë rrugëtim te kualifikueseve evropiane.

Të avantazhuar faktori “shtëpi”, djemtë e Orges Shehit premtojnë spektakël në mitikun e kryeqytetit, aty ku pritet të jenë prezent plot 10 mijë tifozë të “bardhebluve”, për të t’i dhënë skuadrës së tyre sadopak “forcë” ndaj një ekipi gjigand, siç mund të quhen dhe “shqiponjat” e Besiktas.

Përsa i përket formacionit të mundshëm, tekniku Shehi duhet të vuajë mungesën e Albi Dokës, në krahun e djathtë të mbrojtjes, me këtë të fundit që pritet të zëvendësohet nga Haxhiu. Ndryshime gjithashtu priten dhe në repartin ofensiva, ku titullar kësaj radhe në fushën e blertë do të zbresë “fantazisti” brazilian, Kaina e pas tij do të pozicionohen Kristal Abazaj e Florent Hasani.

Në krahun tjetër, tekniku Senol Gunes i druhet një rezultati katastrofik në arenën e Tiranës, teksa është i vetëdijshëm për mënyrën e lojës së “bardhebluve”, presingun dhe kundërsulmin. Mirëpo, tekniku turk nuk i druhet vetëm kundërshtarit, pasi problem për të mbetet dhe fusha e “Air Albania”.

Ndërkaq, përsa i përket rreshtimit të turqve, Gunes, ndryshe nga tekniku Shehi, do të ketë nën dispozicionin e tij të gjithë “shqiponjat” e Besiktas dhe duket se përballja e mbrëmjes së sotme do të jetë me të vërtetë e “zjarrtë”. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!