Në 84 vjetorin e shkrimtarit Ismail Kadare, Akademia e Shkencave e ripropozon për çmimin Nobel

schedule15:54 - 28 Janar, 2020

schedule 15:54 - 28 Janar, 2020

Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ka zgjedhur një ditë simbolike, ditëlindjen e 84 të shkrimtarit të njohur Ismail Kadare  për ta ripropozuar para Akademisë Mbretërore të Shkencave të Suedisë si kandidat për çmimin Nobel në letërsi.

Studiuesi  Shaban Sinani  thotë se argumentet janë të bollshëm, jo vetëm duke renditur vlerësimet dhe nderimet përparues të tij në shkallë ndërkombëtare, por edhe rolin e pazëvendësueshëm në letrat shqipe.

Madje Sinani thotë se Akademia suedeze duhet të tërhiqet edhe nga vendimet e mëparshme. Studiuesi është i bindur se vepra “ Gjenerali i Ushtrisë së vdekur “e meriton këtë çmim”, roman i cilësuar në 50- shen më të mirë botërore.

Për Alda  Bardhylin, Drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit pranë Ministrisë së Kulturës, ditëlindjet e shkrimtarëve të mëdhenj si Kadare, janë ngjarje kulturore.

Bardhyli  së shpejti pritet të botoi dy vepra në bashkëpunim me Kadarenë. Letërsia e Ismail Kadaresë lexohet tashmë në më shumë se 50 gjuhë të botës.

Anëtar i Akademisë së Shkencave Politike dhe Morale të Francës që nga viti 1995; Doctor Honoris Causa, në disa universitete me prestigj të lartë në botë, Ismail Kadare është personaliteti shqiptar më i certifikuar me tituj shkencorë, intelektualë e moralë në Europë e në shkallë globale.

Në vitin 2005 Kadare fitoi çmimin ndërkombëtar “The Man Booker” International Prize (Njeriu ndërkombëtar i vitit), i njohur si çmimi i nobelistëve, për të cilin konkurruan autorë nga të gjitha kontinentet dhe me njohje botërore. Ky është çmimi më i lartë që ka marrë letërsia shqipe qysh prej fillimeve të saj deri më sot.

Meritat letrare të Kadaresë janë të shpallura edhe në kryeqendra të tjera të letërsisë dhe kulturës botërore. Në vitin 1992 ai fitoi çmimin Prix Mondial Cino Del Duca (Mondial Sino Del Duka)(Francë). Në vitin 2009 iu dha çmimi i “Asturias”, që shënjon mirënjohjen më të lartë për gjithë letërsinë hispanike.

Në vitin 2015 shteti i Izraelit i dha çmimin “Jerusalem”, që jepet për personalitete të letërsisë me ndihmesa të jashtëzakonshme në dobi të lirisë së mendimit.

Për kontributet e tij dhënëse e pasuruese në qytetërimin europian, Ismail Kadare është nderuar me urdhrin më të lartë të Francës: Kalorës, Oficer dhe Komandant i Legjionit të Nderit.

Vlerësimet ndërkombëtare për veprën e Kadaresë jo vetëm nuk janë ndalur, por kanë kulmuar vitin e fundit.

Gjatë vitit 2019 Ismail Kadare u shpall fitues i tri prej çmimeve më të rëndësishme letrare dhe intelektuale në shkallë botërore: në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ai mori trofeun Neustadt (Njustad), që konsiderohet Nobeli i Amerikës.

Me çmimin Pak Kyongni (Pak Knjonjí), që iu dorëzua në Korenë e Jugut, Kadare mori një prej vlerësimeve më të larta në një anë tjetër të globit, në Azi, duke e shtrirë në mënyrë sovrane përmasën e veprës së vet në shkallë botërore.

Mirënjohja e tretë e vitit 2019 iu kushtua sërish nga vendi që e promovoi për herë të parë si shkrimtar europian, nga Franca./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!