Teksa ka folur për korrupsionin dhe krimin e organizuar kreu u SPAK Arben Kraja ka deklaruar se në vitin 2021 janë bllokuar 70 mln euro asete të krimit të organizuar, ndërsa shtoi se në një vit buxheti i SPAK është rreth 6 milionë euro.
“Gjatë vitit 2021, kemi arritur të konfiskojmë pasuri të paluajtshme, makina dhe monetare rreth 70 milionë euro. Ndërkohë që buxheti i SPAK për një vit është 6 milionë euro. Në këtë sens jemi munduar të jemi efektiv, padyshim ka shumë për të bërë sepse është strukturë e re që po krijohet, kjo kërkon edhe mentalitet, ngritja e një strukturën të nivelit të dytë”, ka thënë ndër të tjera Kraja.
Teksa u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve në Këshillin e Integrimit Kraja tha se ka një nivel të lartë bashkëpunimi me strukturat e tjera ligjzbatuese në vend dhe ndarje të informacioneve të vlefshme.
“Kemi vendosur kontakte dhe kemi bashkëpunim shumë të mirë me të gjitha strukturat e larta të shtetit. Shkëmbejmë informacione. Në bashkëpunim me KLSH kemi ndjekur të gjitha çështjet që lidhen me fenomenet e fondeve publike, nga ku kërkojmë informacion nga KLSH. Kemi pika kontakti të përbashkëta”, tha Kraja.
Pyetjes së deputetit të PD, Enkelejd Alibeaj nëse struktura që ai drejton ka qenë e mbingarkuar apo jo nga operacioni i OFL-së në vitin 2020, Kraja e pohoi diçka të tillë.
“OFL ka qenë një mbingarkesë pune dhe ka pasur shumë problematika. Kur është diskutuar drafti ne si prokurori kemi qenë kundër e kam deklaruar publikisht dhe s’e ndryshoj. Ka pasur mbingarkesë për arsye të afateve shumë precize që kishte për tu zbatuar. Në kushte të tilla ne na u desh ti bënim prioritet. Kanë qene 251 raste të referuara nga policia dhe vazhdon hetimi për disa raste që janë kërkesë për konfiskim”, shtoi ai.
/abcnews.al