Ndryshon urdhri i mjekut/ Koçiu: Regjistër elektronik për mjekët në publik e privat

schedule11:03 - 1 Gusht, 2024

schedule 11:03 - 1 Gusht, 2024

Qeveria ka miratuar ndryshimet për Urdhrin e Mjekut. Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu deklaroi se për të garantuar transparencë do të ngrihet një regjistër elektronik me emrat e mjekëve që punojnë në shtetet dhe privat.

Ministrja sqaroi se është caktuar tavan për orët e punës që një mjek mjekë mund të kryej në spitale publike dhe në privat.

Ndërsa tha se drejtuesit e institucioneve publike shëndetësore nuk mund të drejtojnë klinika private.

“Në vazhdën e propozimeve dhe angazhimeve që qeveria ndërmori ndërkohë që sigurojmë dhe garantojmë cilësinë e shërbimit në strukturat shëndetësore, sot miratuam pas një konsultimi të gjerë dhe të praktikave ndërkombëtare një ndryshim në ligjin për “Urdhërin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë”. Qëllimi kryesor i ndryshimeve të propozuara në këtë ligj ka të bëjë me atë që është interes primar i qytetarëve, garantimin e cilësisë së shërbimit në strukturat tona shëndetësore për të gjithë qytetarët, për të gjithë pacientët që i drejtohen strukturave publike shëndetësore. Dua të theksoj që në kryer të herës atë angazhim që ne morëm bashkarisht për të garantuar dhe për siguruar një balancë mes interesit primar të qytetarëve dhe interesit të mjekëve dhe strukturave publike shëndetësore që është shmangia sa më shumë e mundur e konfliktit të interesit në rastin e çdo profesionisti të mjekësisë i cili punon në strukturat shëndetësore publike.

Ndryshimet që kemi propozuar në ligjin dhe që u miratuam sot me vendimin më të fundit të Qeverisë në ligjin për “Urdhërin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë”, kryesisht konsistojnë në bërjen  publike dhe transparente të informacionit për të gjithë profesionistët e shëndetësisë që punojnë në strukturat publike sa i përket angazhimeve të tyre dhe private. Ndërkohë që ndryshim tjetër i rëndësishëm është pikërisht dhe miratimi i një regjistri publik i cili do të garantojë akoma më shumë transparencë për këdo profesionistë të shëndetësisë që punon në strukturat publike shëndetësore lidhur me punësimin e tij dhe privatisht”, theksoi ajo./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!