Ndryshon Shqipëria U-21, katër emra të rinj në listën e Alban Bushit

schedule20:15 - 30 Gusht, 2020

schedule 20:15 - 30 Gusht, 2020

Ndryshime te Shqipëria U-21. Enis Çokaj, Jon Mersinaj dhe Albion Ademi, nuk do të grumbullohen te Shpresat, për shkak se nuk mund të largohen nga Kroacia dhe Finlanda për shkak të COVID-19. Ndërsa Julian Shehu, mungon për shkak dëmtimi.

Në mungesë të këtyre katër futbollistëve, janë grumbulluar katër të tjerë, tre prej tyre nga Kategoria Superiore. Albion Marku, Serxhio Ujkja dhe Andi Handroj janë grumbulluar me Shpresat, gjithashtu dhe Kristjan Asllani që vjen nga Empoli.

Njoftimi i FSHF-së:

Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi ka bërë disa ndryshime të fundit në listën e lojtarëve të përzgjedhur për dy ndeshjet eliminatore të EURO 2021 ndaj Austrisë dhe Andorrës. Si fillim tekniku kishte përzgjedhur 22 futbollistë për këto dy sfida, por është detyruar të ndryshojë planet për shkak të problemeve që ka shkaktuar pandemia COVID-19 në grumbullimin e lojtarëve.

Kështu bëhet me dije se mbrojtësi Jon Mersinaj nuk mund të grumbullohet, sepse nuk lejohet nga klubi të lëvizë jashtë Kroacisë për shkak se sapo ka përfunduar karantinën dhe është jashtë formës fizike. E njëjta situatë edhe për shokun e tij te NK Lomomotiva e Zagrebit, Enis Çokaj, i cili gjithashtu do të mungojë se bashku edhe me Albion Ademin, i cili nuk lejohet të lëvizë jashtë Finlandës. Sa i përket mungesave është shtuar edhe emri i mesfushori i KF Laçit, Julian Shehu, i dëmtuar.

Për të zëvendësuar këto mungesa tekniku Bushi ka ftuar Kristjan Asllanin (Empoli), Albion Markun (KF Laçi), Serxhio Ujka dhe Andi Handroj (KF Bylis).

Ndeshja e parë e kombëtares tonë U-21 do të jetë kundër Austrisë në datën 4 shtator në transfertë dhe më pas rikthehet të luajë në datën 8 shtator në stadiumin “Elbasan Arena” ndaj Andorrës./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!