Ndryshon shpërblimi për mjekët dhe infermierët, si do të vlerësohet personeli shëndetësor

schedule17:18 - 19 Janar, 2022

schedule 17:18 - 19 Janar, 2022

Me propozim të ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, Këshilli i Ministrave ka vendosur sot në mbledhjen e qeverisë ndryshimin e vendimit për shpërblimin e personelit shëndetësor, mjekë, infermierë dhe punonjës të tjerë.

Sipas asaj që thuhet në VKM emrat e përfituesve do të miratohen periodikisht me urdhër të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, bazuar në analizën e shkallës së ngarkesës së veprimtarisë dhe të riskut të aktivitetit të tyre.

Sekretariati i ngritur pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të bëjë vlerësimin.

Sipas VKM, sekretariati do të përbëhet nga dy përfaqësues të Ministrisë, një përfaqësues i Institutit të Shëndetit Publik, një përfaqësues i Operatorit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor, një përfaqësues i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

VENDIM

PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.207, DATË 10.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHËNIE SHPËRBLIMI PËR PERSONELIN, MJEKË, INFERMIERË DHE PUNONJËS TË TJERË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

VENDOS I:

Pika 4, e vendimit 207, datë 10.3.2020, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“4. Lista emërore e përfituesve dhe dokumentacioni justifikues, përfshirë ditët e angazhimit, sipas pikave 1, 2 dhe 3, të këtij vendimi, me qëllim përfitimin e shpërblimit, miratohet periodikisht me urdhër të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, bazuar në analizën e shkallës së ngarkesës së veprimtarisë dhe të riskut, që mbart aktiviteti i strukturës shëndetësore, e cila vlerësohet nga sekretariati i ngritur pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Sekretariati përbëhet nga:

  1. a) 2 përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;

b 1 përfaqësues i Institutit të Shëndetit Publik;

  1. c) 1 përfaqësues i Operatorit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor;

ç) 1 përfaqësues i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet nga data 1 janar 2022.  /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!