Ndryshon kodi i familjes, lejohet për herë të parë birësimi tek bashkëjetuesit dhe një person i vetëm

schedule14:53 - 15 Shtator, 2020

schedule 14:53 - 15 Shtator, 2020

Vështirësitë e hasura në procesin e birësimit të fëmijëve ka shtyrë Ministrinë e Drejtësisë të ndryshojë Kodin e Familjes. Për herë të parë do të lejohen birësimi i fëmijëve nga bashkëjetuesit që kanë bashkëjetuar për të paktën tre vite, por edhe nga një person i vetëm. Birësuesve do t’i lejohen disa birësime.

Ndryshimet në Kodin e familjes

-Për herë të parë kemi lejimin e birësimit edhe tek bashkejetuesit, që kanë bashkëjetuar në mënyrë të qëndrueshme dhe të vazhdueshme për të paktën 3 vjet, por edhe nga një person i vetem.

-Birësuesit i lejohen disa birësime, me akte të njëpasnjëshme, dhe përbën përparësi nëse birësuesi ka birësuar vëllain ose motrën e fëmijës që synohet të birësohet apo paraqitja e kërkesës për të birësuar vëllezërit ose motrat e tjerë, apo shfaqin gatishmëri për të birësuar të mitur që gjënden në kushte të vështira shëndetësore ose sociale.

-Risi është edhe sjellja e një dispozite të re duke detyruar gjykatën dhe njësinë e mbrojtjes së fëmijës pranë pushtetit vendor për të informuar prindërit e fëmijës mbi qëllimin, kushtet ligjore dhe pasojat që do të sjellë pëlqimi për birësim.

-Në Kodin e Familjes për herë të parë parashikohet transkriptimi i i vendimit të gjykatës, i cili kur merr formë të prerë transkriptohet në regjistrin e gjendjes civile të vendit të lindjes së fëmijës së birësuar. Ky transkriptim nuk përmban asnjë të dhënë për prindërit biologjikë të fëmijës.

Ndryshimet e reja ligjore u diskutuan sot në një nga konsultimet më të gjera publike. Gjatë fjalës së saj ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj tha se kjo nismë ligjore do të thjeshtojë procedurat burokratike për të garantuar më shumë siguri.

‘Kjo nismë ligjore vjen për të thjeshtuar procedurat burokratike dhe për të garantuar më shumë siguri, duke mbajtur në konsideratë interesin më të lartë të fëmijëve”, tha Gjonaj.

Ndryshimet kanë ardhur pikërisht si nevojë për të lejuar funksionimin e objektivave në përputhje me interesin e fëmijës për të gjetur një familje birësuese.

Ky proces është bërë akoma më i vështirë nga procedurat dhe afatet e tejzgjatura kohore, duke bërë që fëmijët të mbeten peng të institucioneve.

“Analiza e të dhënave evidentojnë nevojën e ndryshimeve ligjore të nevojshme për të lejuar Komitetin Shqiptar të Birësimeve të realizojë funksionin dhe objektivat e tij në lidhje me interesin më të lartë të fëmijës duke mundësuar gjetjen e një familjeje birësuese. 

Procedurat  dhe afatet e tejzgjatura kohore për shpalljen e braktisjes prindërore e shoqëruar kjo me një  interesim të pakët të prindërve apo familjarëve ulin mundësinë që fëmija të  ketë mundësi birësimi duke e mbajtur “përgjithmonë” në institucion.

Të gjitha këto problematika, jo vetëm kanë penguar përmbushjen e qëllimeve dhe objektivave të Komitetit Shqiptar të Birësimeve por kanë bërë që shumë fëmijë të mos birësohen dhe të mbeten peng i institucioneve të kujdesit.

Pasojat e këtyre vështirësive evidentohen edhe në të dhënat vjetore të KSHB mbi numrin e birësimeve të kryera. Nëse  analizohen statistikat dhe numri i fëmijëve të birësuar vihet re rënie në numrin e birësimeve të kryera. Ndër vite evidentohet një luhatje në numrin e  birësimeve. Kështu nëse do të ndaleshim në shifra konkrete, duke filluar nga:

viti 2015 numri i birësimeve ka qenë 53,

viti  2016 numri i birësimeve ka qenë 32,

viti 2017 numri i birësimeve ka qenë 43,

viti 2018 numri i birësimeve ka qenë 37, dhe

viti 2019 numri i birësimeve ka qenë 24, dukshëm më pak se në vitet paraardhëse”

/m.v. abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!