Ndryshon buxheti, rritet parashikimi për të ardhurat e shpenzimet

schedule15:32 - 7 Dhjetor, 2021

schedule 15:32 - 7 Dhjetor, 2021

Nga Erblina Mile

Ndryshon përsëri buxheti  shtetit  në prag të mbylljes së vitit. Planifikimi jo i saktë i të ardhurave dhe shpenzime ka detyruar ministrinë e financave të rishikojë përsëri treguesit fiskal ndërsa ka rialokuar disa fonde për disa kategori.

Akti normativ është publikuar në fletoren zyrtare dhe parashikon me rritje të ardhurat që pritet të mblidhen gjatë këtij viti. Të ardhurat planifikohen të mbyllen në vlerën  507.7 miliardë lekë, nga 484.1 miliardë që ishin parashikuar në buxhetin fillestar.

Po ashtu qeveria ka rritur vlerën e shpenzimeve për këtë vit me 34.5 miliardë lekë duke arritur në 628.2 miliardë lekë në total.

Pas ankesave të drejtuesve vendor ministria e financave ka alokuar njw fond prej  500 milionë lekësh si transfertë specifike për 61 bashkitë e vendit për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.

Nw total borxhi i bashkive llogaritet 6.6 miliardë lekë.Të dhënat  tregojnë se këto borxhe janë krijuar kryesisht si pasojë e mospagesës së investimeve të ndryshme që janë realizuar e sidomos nga largimet e padrejta nga puna. Stokun kryesor të borxhit e mbajnë 6 bashki.

Niveli më i lartë i detyrimeve të prapambetura vijon të shënohet në bashkinë Kavajë me rreth 908 milionë lekë apo 14% e stokut total, ndjekur nga bashkitë Tiranë me rreth 800 milionë lekë dhe Vorë me rreth 667.8 milionë lekë.

Po ashtu nga rishikimi i buxhetit përfitojnë edhe fermerët për subvencionin e të cilëve janë parashikuar 600 milion lekë shtesë.

Shtesë fondesh janë dhënë  edhe për rindërtimin duke  u rritur me 7 miliardë lekë.

Ndërkohë që për pensionistët është parashikuar një fond prej 3.5 miliard lekësh për shpërblimin e vitit të ri. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!