Ndryshimi i Kushtetutës, Rushaj: Shtyjmë me 2 ditë mbledhjen, të dyja kërkesat të shqyrtohen bashkë

schedule15:26 - 1 Nëntor, 2021

schedule 15:26 - 1 Nëntor, 2021

Partia Demokratike braktisi mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit. Në një deklaratë për mediat, jashtë kryesisë së Kuvendit, nënkryetari Alfred Rushaj argumentoi edhe një herë pse PD kërkon diskutimin në tërësi të ndryshimeve në kushtetutë sa i takon vetingut.

Lexo edhe: Ndryshimet në Kushtetutë, PD braktis mbledhjen pasi socialistët kërkuan kohë për shqyrtimin e 3 propozimeve

Deklarata e plotë e Alfred Rushajt:

Më datë 15 tetor është depozituar një nismë nga PS për ndryshimin e Kushtetutës .Më datë 20 është depozituar gjithashtu nga ne projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 8417, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, e ndryshuar. Të dyja këto nisma, flasim për shtesa dhe ndryshime në të njëjtin ligj, që është Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Të dyja këto nisma janë lajmëruar njësoj, në të njëjtën seancë, më datë 25.10.2021 nga ju përpara të gjithë deputetëve të Republikës së Shqipërisë. Ne e shohim që keni respektuar afatin minimal që ka vendosur rregullorja e Kuvendit, sapo janë mbushur 2 javë, keni njoftuar mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillin e Legjislacionit për të shqyrtuar nismën e deputetëve të shumicës, nëse po ky standard do të respektohet nga ana juaj, pasnesër me datë 3 nentor plotësohet i njëjti afat minimal për shqyrtimin e nismës së paraqitur nga opozita.

Duke qenë se ligji që ndryshohet, është Kushtetuta, do të duhet të caktojmë relatorët dhe ekspertët për të dy nismat, duke qenë se këto nisma mund apo kanë ndërlidhje me njëra-tjetrën, ne sensin që mund të kenë ndikime dispozitat tek njëra-tjetra, dhe duke qenë se në kalendarin tre javor janë parashikuar në një pikë, ajo çfarë ne propozojmë është, të shtyhet kjo mbledhje dhe duke prezumuar i njëjti standard, për njoftimin e nismës në këtë mbledhje të përbashkët, do të ruhet edhe për propozimin e pakicës, pra të opozitës, të bëhet kjo mbledhje e përbashkët më datë 3 nentor, ku të caktohen relatorët e të dyja palëve për të dy nismat dhe kështu të vijojë në mënyrë të harmonizuar shqyrtimi nëpër komisione.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!