Ndryshimi i kufijve ballkanikë, Ajeti: Antishqiptare përmbajtja e “Non paper”, si e shkruar në zyrat e Beogradit

schedule09:29 - 4 Maj, 2021

schedule 09:29 - 4 Maj, 2021

Ditëve të fundit kanë qarkulluar dy “Non Papers” që po trazojnë Ballkanin pasi flitet për ndryshime të kufijve për krijimin e shteteve monoetnike.

Për të folur më shumë se kush fiton dhe kush humbet nga këto “Non Papers” apo dokumente jo zyrtare pa autor, në një lidhje nga Vjena me “Abc e Mëngjesit” ishte Faruk Ajeti, ekspert i marrëdhëniet Ndërkombëtare në Vjenë.

Deri më tani janë publikuar dy dokumente, një thuhet se ka dalë nga kabineti qeveritar i Sllovenisë, dhe tjetri është botuar nga gazeta kosovare “Koha Ditore.” Siç u shpreh Ajeti, ministri i Jashtëm slloven e ka mohuar ekzsitencën e tij, ndërsa ka akuzuar opozitën për autorësinë.

Ajeti solli në vëmendje edhe kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili sipas tij ka konfirmuar ekzistencën e një dokumenti të tillë, dhe se e ka parë dhe diskutuar me kryeministrin slloven. Por, duke u bazuar tek postimi i kryeministrit të hënën në Twitter, Rama thjesht ka mohuar që të ketë diskutuar për lëvizje të kufijve me Kosovën, por nuk  e mohon ekzistencën e tij.

Por çfarë ndryshimesh parashikon “non paper” slloven për kufijtë e Ballkanit?

Faruk Ajeti shpjegon: “Ka lëvizje të kufijve në Ballkan. Në të Kosova dhe Shqipëria përmendet vetëm në katër rreshta për bashkim. Për komunat veriore të Kosovës, parashikohet një lloj autonomie e gjerë, Tiroli Jugor. Bosnja ndahet në tri pjesë. Pjesa kroate i jepet Kroacisë, Republika Serbe e Bosnjës i bashkohet Serbisë, kurse pjesa që mbetet krijohet një shtet boshnjak. Në RMV ka lëvizje të kufrit, pjesa e përbërë nga shumica shqiptare i bashkohet Shqipërisë pa detaje dhe komuna konkrete.”

Ekspert i Marrëdhënieve Ndërkombëtare këshillon që Shqipëria dhe Kosova të jenë të kujdesshme ne raport me këto “non papers” pasi, sipas tij, çdo lëvizje në Ballkan në këndvështrimin monoetnik bie ndesh me atë që janë përpjekur të përcjellin perëndimorët.

Sipas tij lëvizje të tilla të kufijve janë bërë burim lufte ndër vite ndërsa shtoi se këto dokumente jo zyrtare duken sikur janë shkruar në zyrat e Beogradit. sb/abcnews.al/