Ndryshimi i emrit, Tirana uron Republikën e Maqedonisë së Veriut

schedule15:45 - 20 Tetor, 2018

schedule 15:45 - 20 Tetor, 2018

Një hap të rëndësishëm shprese dhe besimi se procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE është në rrugën e duhur e cilëson kreu i shtetit shqiptar, Ilir Meta, votimin në Kuvendin e Maqedonisë pro nismës së ndryshimeve kushtetuese.

Presidenti Meta mesazhin e tij e ka bërë publik në rrjetet sociale ku gjithashtu përgëzoi qeverinë e kryeministrit Zaev dhe ligjvënësit e Kuvendit të Maqedonisë.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i dërgoi një letër urimi homologut të tij në Maqedoni, Talat Xhaferi, ku shkruan se Maqedonia e Veriut është nje vendim historik i duartrokitur nga partnerët.

Menjëherë pas votimit që i hapi udhë ndryshimeve kushtetuese, për të proceduar më pas me miratimin e ndryshimit të emrit në Republikën e Maqedonisë Veriore reagoi edhe Kryeministri shqiptar Edi Rama.

“Gëzuar ditëlindjen Republika e Maqedonisë Veriore. Urime të përzemërta kryeministrit Zoran Zaev dhe të gjithë atyre që luftuan për këtë moment historik. Një derë e re e të ardhmes u hap për dy popujt tanë në Republikën e Maqedonisë Veriore”, shkroi kreu i ekzekutivit shqiptar në Twitter.

Ndërsa Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, zgjodhi një shprehje të Nelson Mandelës për të përshëndetur votimin në Parlamentin e Maqedonisë për çështjen e emrit.

“Mandela thoshte ‘Gjithmonë të duket e pamundur diçka, derisa të realizohet’”, shkruan Bushati sipas të cilit votimi në Parlamentin maqedonas për ndryshimet kushtetuese është një hap i madh drejt zbatimit të marrëveshjes së Prespës.

Përzemërsisht ka përshëndetur këtë votim edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili po në rrjetet sociale shkruan se ky është një proces që do të na bashkojë edhe si aleatë rreth vlerave të përbashkëta euroatlantike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!