I ndodhur përpara presionit të institucioneve, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka njoftuar se do të heqë dorë nga posti i ministrit të Financave, që kishte marrë përsipër të mbante në kuadër të riformatimit të qeverisë. Duke shpallur vendimin e tij, Zaev tha se ka vendosur të dëgjojë zërin e opozitës.
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka njoftuar Kuvendin e Maqedonisë së Veriut se është i jashtëligjshëm propozimi që Kryeministri Zoran Zaev krahas funksionit Kryeministër ta ushtrojë edhe atë të Ministrit të Financave.
Nga ky Komision kanë thënë se Ligji për parandalimin e korrupsionit dhe konflikte interesash nuk lejon një gjë të tillë. Në një paraqitje para deputetëve Kryeministri Zoran Zaev, tërhoqi propozimin për vetemërim në Financa, siç tha, duke dëgjuar zërin e opinionit e të opozitës.
“Ju njoftoj se e tërheq kandidimin për ministër edhe pse ligji dhe Kushtetuta ma lejon. Tërhiqem pasi pati reagime nga opozita dhe Antikorrupsioni. Paralajmëroj se do të udhëheq me ministrinë derisa të emërohet ministri i ri”, tha Zaev.
Ai që pësoi më keq është Vesel Memedi dhe partia e tij.
“Sot do të dorëzojmë dorëheqjen e parevokueshme nga të gjitha drejtoritë dhe këshillat drejtues dhe kulminacioni i kësaj vlere sublime është tërheqja nga pozita e nënkryetarit të Kuvendit dhe dorëzimi i mandatit të deputetit”, tha ai.
Debati për emërimin e ministrave të ri është i kufizuar në dy ditë dhe pritet që këtë kohë opozita ta shfrytëzoj maksimalisht, e votimi të bëhet nesër, 5 minuta para mesnatës./ABC News Albania 24/7