Ndryshimet në qeverinë “Rama” ishin qendra e diskutimeve të premten. Për analistin Ermal Hasimja, me këto lëvizje kryeministri po argëtohet, sepse politika aktuale i është bërë e mërzitshme.
“Kam përshtypjen që kryeministri po luan në këto momente. Po argëtohet, po kënaqet. Thjesht ka ato lodrat e tij përpara dhe po i hedh, po i rrotullon, po i lëviz. Kjo është përshtypja e parë që më krijon. Kam përshtypjen që politika aktuale është bërë e mërzitshme për kryeministrin dhe po argëtohet”, tha ai.
Sipas Hasimes, nuk do ndryshojë asgjë në lidhje me politikat e shtetit. Ajo që është bëre e qartë tashmë, është fakti që Rama kontrollon vendimet që merren, theksoi ai.
“Nuk mendoj që do ndryshojë gjë sepse nga pikëpamja e emrave unë mendoj se në thelb mund të ndryshohen emrat dhe jo politikat e shtetit, për aq sa ekzistojnë se ndonjëherë të krijohet përshtypja që në Shqipëri nuk ka politika fare. Nuk besoj që do ketë ndonjë ndryshim të madh, kështu që nuk ka ndonjë gjë të madhe për t’u befasuar. Deri më tani kemi kuptuar që kryeministri kontrollon me vendimet që bëhen. Patjetër ka njerëz që mund t’i hedhin në vesh ide shpesh të çuditshme. Në situatën ku ne jemi pasi kryeministri ka praktikisht ka marrë në dorë institucionet kryesore të vendit, s’i ka ngelur në dorë vetëm të këndojë në Eurovizion për të përfaqësuar Shqipërinë”, tha ai./abcnews.al