Ndryshimet në qeveri, Gjekmarkaj dhe Nazarko: Lëvizje me kalkulim politik, PS s’merr 74 mandate

schedule18:27 - 15 Shtator, 2020

schedule 18:27 - 15 Shtator, 2020

Ndryshimet e fundit që Edi Rama po bën në qeverinë e tij për analistët janë për llogari votash.

“Është një lëvizje e cila tenton të përkëdhel militancën e PS, e cila kalon përmes shumë dilemash që qeverisja ka shkaktuar në këto 8 vite, dilema që shkojnë deri në tronditje besimi dhe është një mënyrë për tu thënë që vërtitem sa vërtitem por përsëri kthehem tek rrënja”, tha Agron Gjekmarkaj.

Ndërsa analisti Mentor Nazarko këto lëvizje, i quan të imponuara.

“Janë lëvizje të imponuara për shkak të nevojës që të ulët presioni mbi qeverinë, mbi anëtarë të caktuar të qeverisë të cilët janë më të ekspozuarit”, u shpreh Mentor Nazarko.

Për Agron Gjekmarkaj, deklarimet e besa Shahinit për diskriminim për shkak të dialektit nuk qëndrojnë, ndërsa emërimin e Evis Kushit në krye të Ministrisë së Arsimit, ai e komenton kështu:

“Kjo lëvizje është bërë për të përfaqësuar në moment të fundit Elbasanin në qeverisje, për ti dhënë një peshë politike në sytë e skakierës elektorale, për tu thënën që keni përfaqësim, për të ndikuar tek vota. Dhe arsyeja tjetër, druaj dhe shpresoj që të mos jetë e vërtetë dhe koha do e përgënjeshtrojë, që të rritet ndikimi politik mbi strukturat arsimore në Shqipëri”, tha ai.

Mentor Nazarko e sheh për përmirësim imazhi dhe jo për të ndryshuar cilësisht drejtimin e ministrive.

“Është një operacion imazhi. Unë nuk mendoj që këto 6 muajt e fundit njerëzit që vijnë në krye të këtyre dikastereve ta dinamizojnë apo ndryshojnë cilësisht punën në këto dikastere”, shprehet ai.

A janë këto ndryshime edhe në funksion të objektivit të deklaruar nga Rama për marrjen e 74 mandateve në zgjedhjet e 25 prillit?

“Në këto kushte (pandemia, tërmeti) duhet të ofrojë një fabul, një narrativë të re, sjellje të reja dhe unë pres që ai do i afrojë këto sjellje në mënyrë të tillë që nëse jo 74, të arrijë të dalë të paktën parti e parë”, tha Mentor Nazarko.

Ndërsa Gjekmarkaj thotë se e sheh të pamundur marrjen e 74 mandateve.

“Pas 8 vitesh, që kryesisht janë vite të gjata problematike, me kriza, me trauma politike, do të ishte një provokim i madh dhe unë e shoh të pamundur (marrjen e 74 mandateve), aq më tepër është një shashkë që hidhet për të mbajtur me gajret të vetët”, tha më tej Agron Gjekmarkaj.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!