Paraditen e sotme, Drejtori i Përgjithshëm Drejtues Gledis Nano, ka prezantuar disa ndryshime në rangun e lartë drejtues të Policisë së Shtetit.
Sikurse ABC ka raportuar më herët, me urdhër të Ministrit të Brendshëm, Drejtues i Lartë Albert Dervishaj lirohet nga detyra e Zv/drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm emërohet Drejtor/Dekan në Fakultetin për Hetimin e Krimit në Akademinë e Sigurisë.
Drejtues i Lartë Tonin Vocaj lirohet nga detyra e Drejtorit të Departamentit të Policisë Kriminale dhe emërohet Zv/drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Drejtues i Parë Neritan Nallbati, deri tani Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, transferohet dhe emërohet Drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe i jepet grada Drejtues i Lartë.
Gjatë prezantimit, Gledis Nano ka kërkuar nga drejtuesit e lartë të emëruar në detyrë, angazhim dhe përkushtim në detyrat e reja, me qëllim dhënien e impulseve të reja punës në strukturat që do të drejtojnë.
Pak ditë më parë, po me urdhër të Ministrit të Brendshëm është liruar nga detyra Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin Eduart Merkaj, i cili është emëruar në Akademinë e Sigurisë. Drejtor i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin është emëruar Saimir Boshnjaku, i cili ka marrë edhe gradën Drejtues i Lartë.
Ndryshimet në kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit, vijnë pas një sërë ngjarjesh kriminale që kanë ndodhur në vend gjatë javëve të fundit, ndërkohë që vijojnë të jenë të pazbardhura.