Komisioni i Venecias lë në fuqi ndryshimet në Kodin Zgjedhor: Nuk duhet të ketë më ndërhyrje

schedule16:59 - 2 Dhjetor, 2020

schedule 16:59 - 2 Dhjetor, 2020

Shqiptarët do të shkojnë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit me Kodin Zgjedhor të miratuar nga Partia Socialiste në datë 30 Korrik. Komisioni i Venecias në raportin paraprak për ndryshimet në Kodin Zgjedhor në Shqipëri në përgjigjen e kthyer për Presidentin Ilir Meta, i cilëson si të nxituara dhe të pakonsultuara në nivelin e duhur, por i lë në fuqi dhe kërkon që të mos ketë ndryshime të tjera.

Për shkak se ka mbetur edhe pak muaj nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Komisioni i Venecias nuk rekomandon ndryshime të tjera për çështje që prekin zgjedhjet, duke nxitur palët që “të hyjnë në një dialog konstruktiv dhe të bëjnë çmos për të zbatuar ligjin zgjedhor në kohë; ato duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur, dhe në një mënyrë transparente, për të sqaruar ndikimin e ndryshimeve, dhe administratës zgjedhore duhet t’i sigurohen mjetet e mjaftueshme për t’i zbatuar ato” thotë “Venecia”.

Por kush është opinioni i Komisionit të Venecias për ndryshimin e formulës së koalicioneve dhe listave? “Ndryshimi i formulës së koalicioneve ka pak gjasa të ndikojë në rezultatin zgjedhor. Sidoqoftë, në një garë të ngushtë elektorale, ndryshime të tilla mund të jenë vendimtare për marrjen e shumicës së vendeve në Parlament. Eshtë e vështirë të parashikohet efekti i listave pjesërisht të hapura. Votimi me preferencë do të jetë efektiv vetëm nëse arrin një prag të caktuar (deri në 10,000 vota). Efekti i kësaj risie do varen nga sjellja e votuesve, më saktësisht nga përdorimi pak a shumë i gjerë i mundësisë për të votuar për një kandidat specifik”.

Opinioni nuk merr përsipër të trajtojë kushtetutshmërinë e ndryshimeve, sepse për Komisionin e Venecias “kjo duhet të jetë detyra e Gjykata Kushtetuese sapo të bëhet përsëri funksionale. Komisioni i Venecias dhe ODIHR tashmë e kanë bërë të qartë se është me rëndësi jetike për Shqipërinë të bëjnë funksionale Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë sa më shpejt të jetë e mundur, për më tepër në një kohë në të cilën shumë çështje komplekse që kanë të bëjnë me kushtetutshmërinë e çështjeve publike në Shqipëri janë të pranishme”.

Komisioni i Venecias nënvizon se “stabiliteti i ligjit zgjedhor është thelbësor për të siguruar besimin në procesin zgjedhor dhe në veçanti për të përjashtuar çdo dyshim për manipulim të kornizës legjislative elektorale. Sa më afër zgjedhjeve të miratohen ndryshimet në legjislacionin zgjedhor, aq më shumë mund të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve”.

Komisioni i Venecias dhe ODIHR bëjnë rekomandimet kryesore vijuese që duhen ndjekur para zgjedhjeve parlamentare të Prillit 2021:

  1. Të gjitha autoritetet të hyjnë në një dialog konstruktiv dhe të bëjnë çmos për të zbatuar ligjin zgjedhor në kohë; ato duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur, dhe në një mënyrë transparente, për të sqaruar ndikimin e ndryshimeve, dhe administratës zgjedhore duhet t’i sigurohen mjetet e mjaftueshme për t’i zbatuar ato;
  2. Të shmanget çdo ndryshim i mëtejshëm i legjislacionit zgjedhor përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare; në veçanti, caktimi i kufijve të zonave elektorale nuk duhet të ndryshohet;
  3. Liderët e partive politike të përmbahen nga të qenit kandidatë në disa zona elektorale;
  4. Të sqarohet ndikimi i ndryshimeve në lidhje me koalicionet lidhur me nenin 96 të Kushtetutës për emërimin e Kryeministrit.

Komisioni i Venecias dhe ODIHR rekomandojnë, që pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021:

  1. Të hiqet mundësia që liderët e partive politike të garojnë në disa zonat elektorale;
  2. Të respektojë të drejtat e barabarta për të gjitha palët në një koalicion për të apeluar veprimet dhe vendimet e koalicioni;
  3. Të prezantohet mundësia që kandidatët individualë të paraqesin ankesa ndaj ndarjes së mandateve brenda një liste;
  4. Të sqarohet përkufizimi i pragut për zgjedhjet lokale në kuptimin që ai zbatohet në nivel lokal, nëse është e nevojshme përmes një rregulloreje;
  5. Të rishikojë nenin 67 (4) të Kodit Zgjedhor në mënyrë që të zvogëlohet numri minimal i kandidatëve për tu paraqitur në listë;
  6. Të konsiderohet që të bëhet një përjashtim nga pragu kombëtar 1% për pakicat kombëtare.
  7. Të vazhdojë adresimin e rekomandimeve të ODIHR-it lidhur me zgjedhjet.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!