“Ndryshimet në Kod me shumicë Kushtetuese”, Balla: Meta kërkon të pengojë zgjedhjet e 25 prillit

schedule15:31 - 27 Tetor, 2020

schedule 15:31 - 27 Tetor, 2020

Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla në një komunikim për mediat bëri me dije se qëndrimi i Presidenti Ilir Meta është i papranueshëm, ndërsa u shpreh se ndryshimet në Kodin Zgjedhor kanë dakordësinë e Kushtetueses.

Gjithashtu Balla theksoi se duhet refuzuar përpjekja e Presidentit për ta futur vendin sipas tij në një spirale të rrezikshme.

Lexo edhe: Kodi Zgjedhor, Meta: Uroj që qëndrimet e ndërkombëtarëve të dëgjohen, në 25 prill nis epokë e re

“Është e papranueshme dhe duhet refuzuar përpjekja e Ilir Metës për ta futur vendin në një spirale dhe aventurë të rrezikshme kur kanë mbetur dhe pak ditë nga zgjedhjet. Meta në asnjë moment me këtë dekret nuk ka pasur qëllim të rregullojë ligjin, por ka qenë sabotimi dhe dëshira për të penguar zhvillimin normal të zgjedhjeve të 25 prillit.

Për shumicën në këtë Kuvend Komisioni i Venecias është i mirëpritur për të dhënë një opinion të pjekur. Ai opinion do të diskutohet nga të gjitha forcat politike, por do të mbetet për t’u adresuar përtej 25 prillit. Nuk kemi kohë për të humbur dhe për të hyrë në një aventurë. Siç e dini implementimi i ligjit zgjedhor kërkon kohën e vet.

Duke qenë se ne tani kemi një kod zgjedhor ku qytetarët shqiptarë do të votojnë dhe për kandidatët, kjo është një kohë e volitshme, e shkurtët që të përgatitet procesi zgjedhor. Pas publikimit të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor në Fletoren Zyrtare, Kodi Zgjedhor është tashmë i pandryshueshëm”, tha Balla.

Ai po ashtu shtoi se ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë miratuar si rrallë herë me shumicë Kushtetuese, ndërsa shtoi se “Kuvendi” ka kryer me korrektësi detyrën.

“Opinionet janë gjithmonë të mirëpritura, por nuk duhet të harrojmë që tashmë Shqipëria ka një datë zgjedhjesh”, u shpreh ai.

Pas deklaratave të Ballës ka ardhur edhe reagimi i Presidencës me anë të Tedi Blushit.

Në një postim në Facebook, ky i fundit bashkë me një foto që tregon një postim të Michael Gahler, i bën thirrje Ballës që të reflektojnë deri të enjten.

“Presidenti e dëgjoi thirrjen e Europës, Dëgjojeni edhe ju,” shkruan Blushi.


/abcnews.al/