Në seancën e diskutimit të ndryshimeve kushtetuese që rrjedhin nga marrëveshja e Prespës, kryeministri Zoran Zaev i ka bërë thirrje opozitës që të marrë parasysh të ardhmen e gjeneratave të reja dhe të lërë mënjanë dallimet politike.
“Është koha që t’i lëmë mënjanë lojërat politike dhe ta çojmë përpara interesin tonë të përbashkët”, ka thënë Zaev.
Kreu i qeverisë u ka kërkuar deputetëve të opozitës të veprojnë edhe në mënyrë individuale nëse shohin se partitë ku aderojnë nuk ndryshojnë qëndrim për një gjë kaq të rëndësishme.
Ndër të tjera, Zaev është shprehur i gatshëm të falë përgjegjësit e ngjarjes së 27 prillit, kur deputetët e VMRO-DPMNE-së sulmuan kolegët dhe vetë kryeministrin në Parlament për të penguar ardhjen e tij në pushtet.
“Ky është momenti i duhur kur për të mbështetur të ardhmen e Maqedonisë dhe atë të fëmijëve tanë duhet të falim dhe të pajtohemi”, ka vijuar Zaev.
Zaev është shprehur i vetëdijshëm se një gjë e tillë do të ketë një çmim politik, por ka shtuar se është i gatshëm ta paguajë atë./abcnews.al