Ndryshimet e taksave, Ibrahimaj: Bizneset që nuk bëhen pjesë e fiskalizimit nuk do paguhen nga thesari

schedule15:20 - 9 Janar, 2021

schedule 15:20 - 9 Janar, 2021

Nga Erblina Mile

Të gjitha bizneset që kryejnë trasaksione me institucionet shtetërore nga 1 janari  kanë detyrimin të bëhen pjesë e fiskalizimit dhe të lëshojnë vetëm fatura elektronike.

Drejtorja e tatimeve Delina Ibrahimaj shprehet se në ditët e para të muajit janar numri i  bizneseve që lëshojnë fatura online mbetet  i vogël .

“Nga data 1 dhe deri në 5 janar janë lëshuar 3500 fatura me para në dorë dhe 19 pa para në dorë. Numri është i ulët pasi duhet të kuptojmë se për faturat tatimore të janarit mund të bëhet dhe në shkurt”, është shprehur ajo.

Por nëse këto subjekte nuk do të zbatojnë ligjin atëherë do të penalizohen. Drejtorja e tatimeve paralajmëron se të gjitha subjektet   që kryejnë transaksione me shtetin nuk do të marrin pagesa nga thesari i shtetit,  nëse  nuk lëshojnë fatura elektronike .

“Nuk do të ketë pagesa në thesar për faturat që nuk janë elektronike, dhe entet rregullatore nuk do të pranojnë fatura që nuk janë të tilla”, ka thënë Ibrahimaj

Pavarësisht se Banka Botërore  e ka cilësuar të komplikuar sistemin tatimor në vend dhe është shprehur kundër ndryshimeve fiskale,  gjatë këtij viti  ka hyrë në fuqi rritja e pragut të TVSH  nga 2 mln në 10 mln ,heqja e tatim-fitimit si dhe rritja e pagës minimale.Drejtorja e tatimeve deklaron se do të monitorojnë me kujdes këto ndryshime  për të shmangur abuzimet.

Që prej 1 janarit në Shqipëri rreth 7600 subjekte që kryejnë transaksione me shtetin kanë nisur të aplikojnë procesin e fiskalizimit. Më pas në 1 korrik  fiskalizimi do të nisë edhe për trasaksionet biznes me biznes  ndërsa në 1 shtator  do të shtrihet në të gjitha trasaksionet që kryhen në vend./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!