Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka firmosur ndryshime në strukturën e 12 drejtorive të policive vendore. Sipas shkresës, shihet zgjerimi kompetencave të komisariateve të rretheve të cilat do hetojë edhe ngjarjet e rënda kriminale si vrasjet grabitjet apo dhe pengmarrjet.
Pas deklaratave publike të Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, gjatë turit të “Forumit Qytetar për Sigurinë Publike” se duhen bërë ndryshime në strukturat e policive vendore, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Ardi Veliu, firmosi të martën ndryshimet strukturore, duke zgjeruar të kompetencave e komisariateve të rretheve, të cilat do hetojnë edhe ngjarjet e rënda kriminale si vrasjet, pengmarrjet apo grabitjet me armë. Më herët, Krimet e Rënda, ishin nën drejtim të Drejtorive Vendore të Qarqeve.
Reforma ka prekur edhe sektorët për drogën, krimin ekonomik dhe trafiqet, të cilat mblidhen në një sektor të vetëm. Strukturat e reja të Drejtorive Vendore parashikon rritjen e rolit të inspektorit të zonës, i cili deri dje operonte i vetëm, ndërsa me ndryshimet e reja do të ketë edhe dy kolegë të tjerë.
Çdo komisariat do ndahet në zona policore. Ky territor ka të përcaktuar efektivët për hetimin e krimeve, trafiqet dhe rendin, duke e çuar në tre numrin e SPZ, ose siç njihen ndryshe inspektorët e zonal. Ndërkohë, ndryshime ka edhe sa i takon pozicioneve të nëndrejtorëve të policisë në qarqe.
Çdo drejtori do ketë një drejtor të përgjithshëm dhe dy nëndrejtorë. Skema pilot do eksperimentohet fillimisht në Qarkun e Elbasanit e më pas do të praktikohet në të gjithë drejtoritë e tjera vendore. Ndryshim tjetër është edhe ai për Komisariatet e Policisë Rrugore. Kjo drejtori merr paravësi nga policia e qarkut por, do të komandohen direkt nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. /abcnews.al