“Ndryshe nga sa pretendon…”, Sefa i përgjigjet Berishës: Le t’ia nënshtrojmë gjykatës ligjshmërinë e Kuvendit të 11 dhjetorit

schedule14:31 - 17 Janar, 2023

schedule 14:31 - 17 Janar, 2023

Tërheqja nga ankimimi për statutin e PD, ka përfshirë në replika në distancë Sali Berishën dhe përfaqësuesin ligjor të grupimit të Alibeajt. Ndërsa Sali Berisha është i bindur se në vendimin e Gjykatës që njeh Kuvendin e 11 dhjetorit, Indrit Sefa i kërkon atij që ligjshmërinë e këtij vendimi t’ia nënshtrojnë gjykatës.

“E shikoj të domosdoshme të shkruaj këto rrjeshta për të sqaruar dhe qartësuar në mënyrë përfundimtare dhe shteruese veprimet e sotme në Gjykatën e Apelit Tiranë dhe pasojat e tyre.
Në cilësinë e përfaqësuesit të Partisë Demokratike kam ndjekur të gjitha zhvillimet juridike në Gjykatën e Apelit duke kërkuar që kjo e fundit të caktojë datën për gjykimin e vendimit të gjyqtarit Zhukri. Megjithë kërkesat tona institucionale, kjo gjykatë ende nuk ka caktuar një datë për këtë gjykim.

Nisur nga fakti që gjykimi lidhur me kuvendin e 18 dhjetorit mund të përdorej si argument ligjor për mos caktimin e datës së gjykimit të Apelit per vendimit Zhukri, për shkak të lidhjes ligjore ndërmjet këtyre dy cështjeve, me qëllim heqjen e cdo pengese për gjykimin e vendimit Zhukri, zgjodhëm që të heqim dorë nga gjykimi për regjistrimin e ndryshimeve statutore të kuvendit të 18 dhjetorit. Kërkesa për regjistrimin e këtyre ndryshimeve do të depozitohet në Gjykatën e Tiranë brenda kësaj jave. Ndryshe nga sa pretendon Sali Berisha, deri më sot, këta së bashku nuk kanë kërkuar në asnjë rast që Gjykata e Apelit Tiranë të shprehet lidhur me vendimin e Gjyqtarit Zhukri dhe për pasojë zgjidhjen e ngërcit ligjor të krijuar lidhur me legjitimitetin e Kuvendit të 11 dhjetorit.

Nuk ka asnjë kërkesë të tyre drejtuar kësaj gjykate për caktimin e seancës përvec retorikes politike për kapjen e saj nga Rama. I vetmi person që nuk ka interes që gjykata të shpehet lidhur me ligjshmërinë e vendimit të Gjykatës është pikërisht Sali Berisha. Duke u bazuar në pretendimet e Rithemelimit i kërkojmë atyre që bashkërisht të kërkojmë që Gjykata e Apelit të caktojë datën e seancës dhe të zgjidhim ngërçin ligjor për demokratët dhe për Partinë Demokratike. Le t’i kërkojmë bashkërisht Gjykatës së Apelit caktimin e seancës dhe t’ia nënshtrojmë ligjshmërinë e Kuvendit të 11 dhjetorit gjykimit të saj. Vendimi jo vetëm do të tregojë se si qëndron e drejta por edhe do t’i japë fund njëherë e mirë përdorimit të emrit dhe simboleve të Partisë Demokratike në mënyrë të paligjshme nga Rithemelimi.” shkruan Sefa në një postim në facebook.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!