Ndreu: Kastrioti im, konkret! Devid e shesim, Laçi e Partizani më lart se të tjerët

schedule18:13 - 13 Mars, 2021

schedule 18:13 - 13 Mars, 2021

Kastrioti mbetet një ekip i fortë për t’u mposhtur dhe sot e tregoi sërish në Durrës. Ekipi krutan mori një pikë pas barazimit 0-0, rezultat që gëzon Ramazan Ndreu. Trajneri i Kastriotit analizoi për Supersport sfidën e luajtur në “Niko Dovana”, duke mos i kursyer elozhet për djemtë e tij.

Në emisionin “Gol pas Goli” ai tha: “E kam përsëritur që objektivi është të qëndrojmë në Superiore dhe të shesim 2-3 lojtarë, atëherë jemi shumë mirë. Luhatjet? Është problem kur skuadra është ndërtuar rishtas, që duan kohë të përshtaten. Ka lojtarë të rinj që luhaten shumë.

Kemi Çelën që luan njëlloj, apo Bardhin. Të rinj kanë vrull dhe energji, por në futboll duhen rezultate. Normalisht do përmirësohen. Kjo na sjell luhatjet. Sot ishim konkret dhe mund të shënonim me pak kujdes. Mendoj se do përmirësohemi nga java në javë”.

“Titulli? Klasifikimi e tregon. Laçi, për mua, është skuadra më e mirë, potente dhe është ekip me nivel. Edhe Partizani po ashtu, sikurse edhe Tirana e Kukësi. Nuk duhen vetëm lojërat e mira. Partizani e Laçi janë më lart se ekipet e tjera. Gjithsesi nuk dua të bëj analizën e ekipeve të tjera”.

“A ndikoi fitorja e Bylisit? Pa diskutim. Nuk është se e kemi siguruar qëndrimin dhe flemë të qetë. Gabuam me Tiranën dhe fitorja e Bylisit na vuri në presion. Skuadrat poshtë kanë marrë pikë dhe duhet kujdes. Janë afruar ekipet e fundit. Nuk më trembin skuadrat e tjera, pasi e shoh nivelin e ekipit tim. Kur jemi në ditë të mirë është e vështirë të na mposhtë. E patë edhe sot. Frikë kam se ndonjëherë nuk jemi në maksimum. Duhet kujdes, pasi ka edhe shumë pikë në lojë”.

“Devid? Janë 2-3 klube që e duan, është sulmues shumë i mirë. Ka 20 javë nuk që nuk mungon, është i fortë dhe rrallë e kam kaluar nëpër duar një lojtar të tillë. Është shumë kërkues, punëtor, ka bërë hapa përpara. Nëse na jepet ajo shifër që duam, do e shesim. Edhe për Bardhin kemi pasur oferta, por duhet afruar pak me portën.

“Boyom nuk është në gjendje të mirë, por e dija që ata do sulmonin me topa të gjatë dhe e futëm për të luftuar në ajër. Shtyva Shkallën më para, edhe ai është djalë i fortë. Të dyja ndërrimet e para i dhanë skuadrës atë që unë doja, sidomos në aspektin mbrojtës”. /abcnews.al