Kastrioti përballet nesër me Skënderbeun në transfertë dhe trajneri Ramazan Ndreu është i qartë kur pyetet në lidhje me objektivin. “Skënderbeu është një kundërshtar mjaft i vështirë dhe e ka ndeshjen e jetës, kështu që edhe ne na del për detyrë që të japim më të mirën dhe të marrim 3 pikët.
Me këtë objektiv do të shkojmë në Korçë. Kampionati është shumë i fortë dhe gara sa vjen e ashpërsohet me kalimin e ndeshje. Kampionati është ndarë në dy grupe dhe ka skuadra që luftojnë për mbijetesën dhe janë më shumë se gjysma që duan zonën e UEFA-s.
Të gjitha këto skuadra e kanë rritur nivelin dhe është shumë e vështirë t’i përballosh. Megjithatë, siç theksova më lart, shkojmë në Korçë me këto djem për të marrë maksimumin dhe kam besim te grupi i lojtarëve”, shprehet Ndreu.
Ai ka një merak para këtij dueli, për shkak se Skënderbeu u penalizua në Ballsh. Teoria e kompensimit është ajo që e tremb Ndreun: “Deri tani arbitrimi ka qenë shumë i mirë dhe shpresoj që të vazhdojë kështu.
Ajo që doja të thosha unë, duke marrë shkas nga disa gjëra të vogla që ndodhën javën e shkuar, është që arbitrat mos të kompensojnë, duke pasur parasysh eksperiencën e viteve të shkuara. Në momentin që një ekipi i kanë ngrënë diçka, kërkojnë që t’ia kompensojnë në ndeshjen e radhës. Kërkoj nga sektori i arbitrimit që të vazhdojë punën e mirë që ka bërë deri më tani”. /abcnews.al

