Kastrioti mban vendin e dytë në renditje me 5 pikë pas tre ndeshjeve të para të Kategorisë Superiore dhe nesër do provojë ta ruajë në një ndeshje në transfertë ndaj Skënderbeut në Korçë. Para kësaj beteje në konferencë për shtyp ka dalë trajneri i krutanëve, Ramadan Ndreu.
“Skënderbeu është skuadër që pavarësisht probleme të kohëve të fundit e tregon veten se kush është. Nga ne merr vlerësim maksimal. Javën e shkuar mund Ballshin në shtëpi dhe tregoi se është një skuadër shumë e mirë.
Nga ana jonë do të marrë vlerësimin e duhur, aq më tepër edhe për faktin se ne luajmë më mirë jashtë se në fushën tonë. Kam besimin maksimal se në Korçë lojtarët do të japin maksimumin, do jenë të kujdesshëm dhe pragmatistë.
Nëse në fushën tonë do isha pak më tolerant, do doja të merrnim tri pikët sesa të luajmë mirë. Duhet që skuadra të jetë konkrete në finalizim, lojtarët duhet të kenë luajtur 2-3 vite bashkë, kështu që kërkon shumë nivel dhe ne nuk pretendojmë të jemi një skuadër perfekte.
Jemi skuadër e ndërtuar rishtazi, me miks lojtarësh nga jashtë dhe djem të ri. Rezi është një forcë dhe kualitet më shumë dhe shpresoj që në ndeshjen me Korçën të jetë në lojë. Mendoj se do jetë. Barazimi me Laçin është rezultat i kënaqshëm, që për mua vlen sa tre pikë.
Në ndeshjen me Apoloninë kishim volum të madh sidomos në pjesën e dytë dhe raste që duhet t’i kishim shënuar, kështu unë nuk shoh arsye për të bërë ndryshime në formacion”, u shpreh Ndreu. /abcnews.al