Ndotësit kryesorë të ajrit të Tiranës janë makinat. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj e bëri të ditur gjatë një takimi të organizuar nga ambasada hungareze për promovimin e teknologjisë në mirëmenaxhimin e qyteteve.
Veliaj tregoi matjet që janë bëre përmes aparaturave të reja të ndotjes dhe në orët e para të ditës ka rezultuar një nivel më i ulët grimcash të dëmshme se sa në momentin kur ka një qarkullim të shtuar automjetesh.
“Nëse shikojmë të dhënat për sheshin “Skënderbej”, monoksidi i karbonit është shumë i ulët, po ashtu edhe dioksidi i squfurit; ky është një lajm i mirë. Kurse, dioksidi i azotit është në nivel mesatar krahasuar me Bashkimin Europian, që do të thotë sërish një lajm i mirë. Po ashtu edhe ozoni është në nivel të ulët. Ama, grimcat PM 2.5 dhe PM10, të cilat emetohen nga makinat që përdorim çdo ditë, janë në nivele të mesme. Nëse matjet i bëjmë në orën 8 të mëngjesit kur dalim nga shtëpitë dhe në 5 pasdite, kur kthehemi në shtëpi, këto shifra, sidomos dy të fundit, që janë grimcat që dalin nga marmita e makinës, janë më të larta”, tha ai.
Nisur dhe nga këto të dhëna që ofron tashmë edhe aplikacioni “Tirana Ime”, Veliaj tha se Bashkia e Tiranës do të ndjekë ato politika mjedisore që nxisin sa më pak lëvizje me makina. Një ndër to është shtimi i ditëve pa makina. E radhës do të jetë me 5 Maj.
“Kjo na ndihmon në vendimmarrje dhe kjo është arsyeja pse duam që çdo muaj të bëjmë një ditë pa makina. Dita e ardhshme pa makina, pas Ditës së Verës, do të jetë 5 Maji. Është e diel, qëllon që është Dita e Dëshmorëve, është një mundësi fantastike për të lënë makinat, për të nderuar ata që luftuan për këtë vend, por edhe për t’i dhënë kohë Tiranës të ventilohet”, tha kryebashkiaku i Tiranës.
Kryetari i bashkisë deklaroi se aparaturat që masin ndotjen e ajrit janë vendosur në sheshet dhe kryqëzimet kryesore./abcnews.al

