“Ndoshta një akt i qëllimshëm,” BE diskuton nesër rrjedhjet në gazsjellësin “Nord Stream”

schedule22:55 - 27 Shtator, 2022

schedule 22:55 - 27 Shtator, 2022

Ambasadorët e Bashkimit Evropian pritet të diskutojnë rrjedhjet në dy tubacionet kryesore të gazit Nordstream 1 dhe 2 në një takim të mërkurën. Lajmin e bën të ditur BBC duke cituar burime diplomatike në Bruksel që thonë se kjo çështje është shtuar në agjendën e nesërme.

Ndërkohë, më herët gjatë së ditës së sotme kryeministrja e Suedisë, Magdalena Andersson, ka folur me gazetarët pas asaj që ajo i përshkroi si “shpërthime” në tubacionin në Detin Baltik të hënën.

“Ne kemi inteligjencën suedeze, por kemi marrë edhe informacione në kontaktet tona me Danimarkën, dhe bazuar në këtë, kemi arritur në përfundimin se ky është ndoshta një akt i qëllimshëm. Ndoshta është një çështje sabotimi”, tha ajo në komentet e raportuara nga Reuters.

“Nuk është një çështje e një sulmi në territorin suedez apo danez. Por qeveria po e merr shumë seriozisht atë që ndodhi, jo më pak në dritën e situatës aktuale të sigurisë [në] afërsi,” shtoi ajo. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!