Në këto kohë të turbullta ku dëgjon vetëm lajmërime vdekjesh prej koronavirusit, të qëllon rrallë të emocionohesh nga diçka pozitive. Abelhak Nouri ishte një talent i jashtëzakonshëm. Tek Ajax kanë nxjerrë shumë të tillë, por mesfushori shtatshkurtër me origjinë nga Maroku ishte unik.
Në sezonin 2016-2017 ishte pjesë e Jong Ajax dhe u shpall lojtari më i mirë i sezonit. Atë sezon kishte ndodhur edhe debutimi me skuadrën e parë, një ëndërr për çdo djalosh nga Amsterdami, madje Nouri shënoi në ndeshjen debutuese me “Harkëtarët”.
Sezonin e ardhshëm u grumbullua me skuadrën e parë. Ajax po zhvillonte një ndeshje miqësore me Werder Bremen në alpet e Austrisë. Është data 8 korrik e vitit 2017. Nouri gjunjëzohet në tokë befas dhe shtrihet në shpinë.
Ai humbet ndjenjat dhe një helikopter e nis në një spital të Insbrukut. Kontrollet zbulojnë një problem në tru dhe më pas vjen lajmi i tmerrshëm: “Nouri nuk mund të zbresë më në fushë”.
Djaloshi del nga koma, njeh familjarët, por pas pak kohësh përfundon sërish në koma. Sot është zgjuar, pas rreth 2.5 viteve. Tani do të vazhdojë jetën në karrige me rrota dhe gjithë tifozët e futbollit janë të lumtur për rikthimin e tij në jetë. /abcnews.al