Julian Ahmataj qëndron te Tirana. ABC News e paralajmëroi pasditen e djeshme diçka të tillë dhe vetë trajneri e konfirmoi në orët e vona të mbrëmjes. I ftuar në emisionin “Zona Gol” në Supersport, Ahmataj fillimisht kërkoi falje për gjithçka kishte deklaruar pas ndeshjes me Skënderbeun. Trajneri i bardhebluve pranoi se kishte qenë i ndikuar nga emocionet dhe ishte nxituar, por nga ana tjetër nuk u tërhoq pas për diçka.
“Njerëz pranë lojtarëve duan të më heqin”, thotë mes të tjerash Ahmataj, i cili do të duhet të punojë për të realizuar objektivin e Tiranës. 40-vjeçari është i bindur se bardheblutë e kanë stofin për kampion. Edhe Mema e kishte këtë bindje dhe në njëfarë mënyrë ndjente keqardhje të largohej. Por ndodhi ajo qe ndodhi dhe ai e mbylli kapitullin e tij të pare te Tirana.
Edhe Ahmataj ka bërë të njëjtën gjë. Tani për të te 24 herë kampionët e vendit situata do jetë ndryshe. Kur lëshon deklarata të tipit që “ka nga ata që duan të më largojnë pa ardhur mirë” apo si kjo e fundit që “persona pranë futbollistëve duan të më heqin”, shumë gjëra shihen me sy tjetër. Ahmataj çdo gjë e ka thënë me zë e figurë. Gjithsesi një shans të ri ia jep fakti që nuk përmend emra, sikurse edhe besimi që presidenti Refik Halili ka tek ai.
Ky i fundit, sipas Ahmatajt në asnjë moment nuk i ndërhyn, e ka marrë vendimin e tij. Tirana tani e ka trajnerin, por i duhen rezultatet. Kukësi është kundërshtari i radhës dhe vetëm fitorja bën punë. Pastaj vjen derbi i kryeqytetit, pika e dobët e bardhebluvë në 5-6 vitet e fundit. Fitorja me Partizanin do ishte shkëndija që do ndizte Tiranën, por më parë duhet mundur Kukësit dhe Ahmataj me lojtarët të thonë çka kanë ballë për ballë me njëri-tjetrin.
Sot është dita, para seancës së parë stërvitore të javës. Kapitulli “Ahmataj 2.0” ka nisur. Histori suksesi këtë eksperiencë ai nuk e bën dot i vetëm. Tani topi ka kaluar edhe nga lojtarët. Tifozët presin reagim dhe rezultate, sikurse edhe drejtuesit. Ndryshe Tirana do jetë ajo e zakonshmja e këtyre viteve, që nuk di as pse merr pjesë në garë. /abcnews.al