Ndikimi që do të ketë teknologjia në jetë tonë mbas 5 vitesh

schedule12:00 - 23 Janar, 2020

schedule 12:00 - 23 Janar, 2020

Pushime virtuale dhe robotë që ju shërbejnë. Duket fantashkencë por kjo e ardhme do të jetë realitet pas 5 vitesh. Kështu premton teknologjia, ose të paktën kompania londineze Fast Future, që së bashku me kolosin kinez Huawei kanë formuluar disa parashikime për të rimodeluar çdo aspekt të jetës së njeriut.

Revolucioni do të nisë nga kuzhina. Sensorët që do të integrohen në enët shtëpiake do të bëjnë të mundur që vaktet të gatuhen në mënyrë autonome sipas recetës sonë, por pa qenë e nevojshme të qëndrojmë pranë këndit të gatimit.

Më pas do të jenë robotët , të programuar për të shtruar tryezën e ngrënies, për ta pastruar në fund të vaktit dhe për të larë enët. Më pas edhe në sallon do të jemi të pajisur me teknologji të avancuar, duke arritur të bëjmë udhëtime virtuale, nga njëri cep i botës në tjetrin.

Gjithashtu nuk është lënë pas dorë edhe sistemi i takimeve për të gjetur shpirtin binjak. Por nuk duhet të kërkohet më në aplikacionet Dating dhe të shfletohen qindra profile për të gjetur dikë. Idetë tona, shijet, preferencat, antipatitë, dëshirat e ëndrrat do të arkivohen të gjitha nga inteligjenca artificiale, që do ndërtojë një profil, i cili nëpërmjet aplikacioneve të ndryshme mund të gjejë pa humbur kohë partnerin ideal.

Smartphone-t dhe pajisjet teknologjike trupore do të ndihmojnë njeriun edhe në kurimin e shëndetit falë monitorimit të parametrave jetësore. Por jo vetëm kaq, rrjeti 5G do të zerojë distancat, telefonat do të evoluojnë për të bërë të mundur një komunikim multi-sensorial, nëpërmjet të cilit mund të qëndrojmë në kontakt edhe më të ngushtë me njerëzit e afërt nga çdo vend i botës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!