Ndikimi i pandemisë në ekonomi, BSH: Do të rritet pabarazia; Denaj: Kemi sfida të vështira

schedule16:57 - 29 Tetor, 2020

schedule 16:57 - 29 Tetor, 2020

Nga Erblina Mile

Përkeqësimi i situatës epidemiologjike në vend  ka shtuar friken te institucionet financiare se niveli i tkurrjes ekonomike mund të jetë edhe më i madh. Zv.guvernatorja e Bankës së Shqipërisë Luljeta Minxhozi gjatë fjalës së mbajtur në konferecën e përbashkët me shkollën Ekonomike të Londrës deklaroi se përmasat e pandemisë në ekonominë shqiptare janë ende të papërcaktuara.

“Fatkeqësisht, ende jemi larg një zgjidhjeje epidemiologjike përfundimtare dhe praktike. Përkundrejt kësaj panorame, rënia ekonomike e shkaktuar prej pandemisë është ende e papërcaktuar. Një pasojë ekonomike e kësaj pandemie është se ajo mund të ngadalësojë procesin e përshpejtimit të ekonomive në zhvillim në krahasim me ato të zhvilluara.

Një tjetër mund të jetë pabarazia brenda një ekonomie, meqenëse papunësia godet më shumë popullsinë në moshë të re dhe atë me nivel arsimor më të ulët. Për institucionet politikëbërëse, veçanërisht në vendet me ekonomi në zhvillim, sfida për të përmbushur objektivat kryesorë si: stabiliteti i çmimeve; rritja e qëndrueshme; dhe stabiliteti financiar, po i orienton këto të fundit të veprojnë në një territor të pashkelur më parë”, tha ajo.

Por për ministren e Financave Anila Denaj pritshmëritë janë që vitin e ardhshëm të kemi një stabilizim të gjendjes ekonomike si dhe ulje të nivelit të borxhit.

“Viti i ardhshëm është sfida e vërtetë për ne, pasi  askush nuk mund të parashikojë efektet përfundimtare të pandemisë.  Sidoqoftë ne kemi shtuar përpjekjet për të mbështetur rritjen e ekonomisë. Ne parashikojmë që të kthehemi në një balancë primare pozitive, që nga viti 2022, por me siguri që në 2023 e në vazhdim dhe në një borxh publik të ulur gradualisht, duke arritur në 68.5% deri në 2025”, tha Denaj.

Në fokus të konferencës me temë “COVID-19: Impakti në ekonomike dhe politikat e bankës qendrore” ka qenë  diskutimi i ndikimit të COVID-19 në vendet me ekonomi të zhvilluar  si dhe në vendet me ekonomi në zhvillim. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!