Ndihmuan CIA-n në tortura/ Gjykata europiane ndëshkon Lituaninë e Rumaninë

schedule20:37 - 31 Maj, 2018

schedule 20:37 - 31 Maj, 2018

Gjykata europiane për të drejtat e njeriut ka ndëshkuar dy vende të BE-së për faktin se vite më parë ndihmuan CIA-n në torturimin e të dyshuarve për terrorizëm, pas sulmeve të 11 shtatorit.

Gjyqtarët europianë kanë dalë në përfundimin se dy vende të Europës shkelën të drejtat e njeriut për dy të dyshuar për terrorizëm, duke i lejuar CIA-s t’i torturonte në territorin e tyre. Gjyqtarët i referohen rasteve të Abu Zubajdah dhe Abdi al Rahim, të cilët u arrestuan pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 dhe u torturuan në burgje sekrete në Rumani dhe Lituani. Gjykata europiane për të drejtat e njeriut ka deklaruar se të dyja vendet kanë shkelur ligjin europian që ndalon përdorimin e torturës. Gjykata doli me një vendim të ngjashëm edhe në vitin 2014 ndaj Polonisë. Gjykata ka urdhëruar Rumaninë dhe Lituaninë që të dëmshpërblejnë me nga 100 mijë euro të dyshuarit, të cilët aktualisht ndodhen në Guantanamo. Ekzistenca e të ashtuquajturve “burgje sekrete” të CIA-s për të marrë në pyetje të dyshuarit u mbajt sekrete për shumë vite pas sulmit ndaj Kullave Binjake dhe Pentagonit. Abu Zubaydah, një palestinez i lindur në Arabinë Saudite, mendohet të ketë qenë kryetari i grupit që në vitet ‘90 merrej me rekrutimin e militantëve të Al Kaedës dhe që më vonë u bë organizatori kryesor i kontakteve të Osama bin Laden me celulat terroriste. Ndërsa sauditi Abdi al Rahim konsiderohet si personi që udhëhoqi operacionet e Al Kaedës në rajonin e Gjirit. Ai dyshohet si truri i sulmeve ndaj luftanijes amerikane “USS Cole” në Jemen në vitin 2000, ku humbën jetën 17 persona. /abcnews.al