AEL Larissa në ndihmë të shqiptarëve të prekur nga tërmeti. Klubi grek, që para disa kohësh u bë protagonist duke mos nënshkruar me Idriz Bathën për shkak të një fotoje ku bënte shqiponjën me duar, ka dalë me një njoftim.
Përmes tij u kërkohet tifozëve që në ndeshjen e sotme në kampionat kundër Volos, si dhe në Kupë ndaj Kalamata të mërkurën, të sjellin veshmbathje, batanije e jorganë, që do t’u dorëzohen në mesjavë të prekurve nga tërmeti në Durrës.
Jo vetëm kaq, pasi presidenti Alexi Kougias do të dhurojë edhe një shifër parash si dhe ka menduar të zhvillojë një ndeshje miqësore me Teutën. Në komunikatën e AEL Larissa thuhet se kjo sfidë do të luhet më 29 dhjetor, në “Air Albania Stadium” ose në “Niko Dovana”.
Të ardhurat nga shitja e biletave do të shkojnë të gjitha për të prekurit nga tërmeti. Për të organizuar ndeshjen, ndërmjetës është futur Arian Bellai, trajneri gjirokastrit që më parë ka qenë lojtar te PAS Giannina, kur Kougias ishte president. Aktualisht në skuadrën greke janë sy shqiptarë, Ergys Kaçe dhe Faton Andoni. /abcnews.al